Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Real Madrid e ka përzgjedhur trajnerin e ri

Prizren Post | 15:29 - 09.01.2019

Massimiliano Allegri është trajneri i përzgjedhur nga Reali i Madridit për sezonin e ardhshëm.

Sipas “El Chiringuito”, një program që është shumë pranë klubit “merengues”, presidenti Florentino Perez do të bëjë një tjetër tentativë për ta sjellë atë në kryeqytetin spanjoll, duke trembur kështu skuadrën e Juventusit.

“Është Allegri, trajneri që Florentino Perez do për Realin e Madridit”, deklaroi gazetari spanjoll Edoardo Inda, duke lëshuar kështu lajmin bombastik të merkatos. “Verën e kaluar, trajneri foli personalisht me Perez dhe ky i fundit, që nga ai moment nuk e ka hequr emrin e tij nga mendja”.

Kjo është një deklaratë që duket se ka gjetur konfirmim te një tjetër media spanjolle, e përditshmja “OK Diario”. Sipas kësaj të fundit, Reali i Madridit ka hequr dorë përfundimisht nga Mauricio Pochettino, pasi konsiderohet i paaritshëm nga “Los Blancos”-it, duke përqëndruar të gjitha forcat tek Allegri, i cili ka ende dilema për vijimin e karrierës së tij, pas sukseseve të shumta me bardhezinjtë.

Kontrata e tij me “Zonjën e vjetër” skadon në vitin 2020 dhe synimi i tij është që të fitojë me çdo kusht Championsin këtë vit, sigurisht duke besuar edhe te prania e Cristiano Ronaldos.

Nëse e arrin këtë, atëherë me shumë mundësi ai do të dorëzohet përballë presionit të Florentino Perez, e do të ulet në pankinën e Realit të Madridit. Por, kjo lëvizje mund të realizohet edhe nëse Juventusi dështon në këtë tentativë, me Allegrin që sipas medias spanjolle do t’ia lërë vendin Zidane, njofton TCH.


Etiketa:
Arivisti Company