Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Referendumi për ndryshime kushtetuese në Turqi ka përkrahje të madhe në popull

Prizren Post | 00:36 - 15.04.2017

Ankara – Turqia është në prag të referendumit për ndryshimet kushtetuese, që hapin rrugën për vendosjen e sistemit presidencial në vend.

Jemi në ditën e fundit të fushatës së ngjeshur me mitingje pro dhe kundër kalimit të 18 ligjeve të reja në kushtetutë. Krahu pro ndryshimeve kushtetuese për sistemin presidencial është udhëhequr nga vetë presidenti i Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri Binali Yildirim, njëkohësisht udhëheqës i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP).

Nga krahu opozitar pro referendumit është renditur edhe Partia e Lëvizjes Kombëtare (MHP) në krye me udhëheqësin Devlet Bahçeli, i cili që pas tentimit të grushtshtetit të dështuar të 15 korrikut është duke i dhënë mbështetjen maksimale qeverisë dhe presidentit Erdogan.

Në frontin kundër ndryshimeve kushtetuese janë dy parti opozitare, Partia Republikane Popullore (CHP) dhe Partia Demokratike e Popujve (HDP). Këto parti në këtë referendum kanë bërë një fushatë të përbashkët për moskalimin e referendumit që lejon vendosjen e sistemit presidencial në Turqi. Mbështetësit e tyre janë krahu i majtë dhe ai i ekstremit të majtë, transmeton Prizren Post.

Në taborrin tjetër, shohim një mbështetje dhe besim të madh që populli turk i jep presidentit Erdogan dhe ndryshimeve kushtetuese. Pritja e kalimit të 18 ligjeve të reja që lejojnë vendosjen e rendit të ri presidencial pothuajse është e padiskutueshme.

Sipas parashikimit të bërë nga firma e anketimeve A&G, e cila në zgjedhjet e kaluara të 1 Tetorit në Turqi ishte e vetmja që nxorri rezultatin pothuajse të njejtë me atë që doli në realitet, thuhet se referendumi do të kalojë me mbi 60%, ndërsa mundësia për të mos kaluar është nën 35%.

Pritja më e madhe pas kalimit të referendumit dhe vendosjes së sistemit presidencial në vend është ngritja e ekonomisë, e cila vitin e kaluar shënoi një rritje prej vetëm 2% krahasuar me vitin paraprak.

Faktorë të rënies së dukshme në ekonomi ishin përpjekja për grushtshtet, zvogëlimi i notës së kredisë nga intitutet financiare botërore, sulmet terroriste të PKK-së dhe DAESH-it dhe kriza e aeroplanit me Rusinë. Mos të harrojmë që Turqia përkundër të gjitha këtyre vështirësive që po kalon ende vazhdon të jetë strehuese e mbi 3 milion refugjatëve sirianë.

Edhe peërkundër ndalesës së mbajtjes së mitingjeve në shtetet europiane, diaspora turke i ka dhënë një mbështetje të vazhdueshme frontit pro ndryshimeve kushtetuese. Turqia ka një diasporë të madhe në europë nga e cila të drejtë vote kanë rreth 2.9 milion votues. Votimi për ta ka përfunduar më 9 prill, sipas të dhënave të Këshillit të Lartë Zgjedhor 1,5 milion votues kanë përdorur të drejtën e votës.

Në shtetet europiane si në Gjermani, Zvicër, Austri dhe Holandë është bërë një fushatë europiane nga popujt jo turk kundër ndryshimeve kushtetuese që qojnë drejt sistemit presidencial dhe drejt një Turqie më të fuqishme.

Zgjidhja më e mirë për popullin turk në referendum është “EVET”. /PrizrenPost/


Etiketa:
Arivisti Company