Rethanat kur gripi shton rrezikun e sulmeve në zemër


E mërkurë, 11 Shkurt 2026
Rethanat kur gripi shton rrezikun e sulmeve në zemër

Gripi nuk është thjesht një sfidë për sistemin respirator. Ai përbën një rrezik serioz edhe për shëndetin e zemrës. Statistikat tregojnë se deri në një e treta e sulmeve në zemër ndodhin menjëherë pas një infeksioni akut respirator.

Megjithatë, deri më sot mbetej e paqartë, rruga e saktë se si virusi udhëtonte nga mushkëritë drejt zemrës. Një studim i fundit i Spitalit “Mount Sinai” në Nju Jork, i publikuar në revistën Immunity, ka hedhur dritë mbi këtë proces.

Duke analizuar autopsitë e 35 pacientëve që humbën jetën nga gripi, kërkuesit vunë re se mbi 85 për qind e tyre kishin probleme paraprake kardiake si hipertensioni ose ateroskleroza. Ata zbuluan se shkaku kryesor i vdekjes nuk ishte dështimi i mushkërive, por komplikacionet kardiovaskulare.

Mekanizmi kyç qëndron te një grup qelizash imune të quajtura qeliza prodendritike (PDC). Këto qeliza, të cilat supozohet të na mbrojnë, infektohen nga virusi në mushkëri dhe veprojnë si një “Kalë Troje’, duke e transportuar infeksionin direkt tek kardiomiocitet (qelizat e muskulit të zemrës).

Sapo mbërrijnë në zemër, këto qeliza shkaktojnë çlirimin e sasive të mëdha të interferoneve të tipit 1. Megjithëse interferonët kanë veti antivirale, në këtë rast përgjigja imune është aq e fortë dhe joproporcionale, saqë përfundon duke dëmtuar vetë muskulin e zemrës.

Vdekja e kardiomiociteve, e kompromenton aftësinë e zemrës për të pompuar gjakun, duke çuar në dështim kardiak.

Lajmi i mirë është se shkencëtarët kanë testuar me sukses te minjtë dhe indet njerëzore një lloj ilaçi (ARNi) që rregullon sinjalizimin e interferonit, duke zbutur dëmin kardiak.

Ky zbulim hap rrugën për trajtime të reja parandaluese që mund të mbrojnë pacientët më të rrezikuar gjatë sezoneve të ardhshme të gripit. /tesheshi.com/


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit