5°C
Prizren

Rrënohet edhe një ndërtesë e trashëgimisë në Prizren

Prizren Post | 21:08 - 05.07.2018

Prizren – Ndërtesa që i takonte fillimit të shekullit XX, e ndërtuar me teknikë tradicionale të ndërtimit në rrugën “Adem Jashari” (nr. i ngastrës 804-0) në Prizren, është rrënuar në tërësi. Kjo ndërtesë është rrënuar me leje të Komunës së Prizrenit, gjegjësisht Drejtoratit për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor (DUPH), edhe pse për rastin në fjalë Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Prizren, si institucion kompetent i trashëgimisë, nuk ka dhënë pëlqim për një veprim të tillë.

Me datë 22 shkurt 2018, DUPH (Komuna e Prizrenit), pas aplikimit të investitorit të ndërtesës në rrugën “Adem Jashari” (nr. i ngastrës 804-0), i drejtohet QRTK-së në Prizren me kërkesë për dhënie të pëlqimit për ndërtimin e objektit të banimit me lokal afarist. Në bazë të informatave zyrtare të marra nga QRTK në Prizren, ky autoritet në fillim të këtij viti kishte refuzuar kërkesën e investitorit për ndërtim të objektit të ri në këtë parcelë.

Sipas përgjigjes së QRTK-së, kjo ndërtesë ka qenë pjesë e Zonës së Dytë Mbrojtëse të qytetit sipas Planit Zhvillimor Urban (PZHU) të Prizrenit. “Fasada ballore e ndërtesës në fjalë ka qenë e punuar me elemente dekorative lineare, karakteristikë e fillimit të shekullit XX dhe pranë saj në varg gjenden edhe katër ndërtesa tjera të cilat datojnë nga kjo periudhë, të cilat ruajnë karakterin historik të çarshisë tradicionale të zhvilluar në vijë kontinuale, ku posedojnë vlera historike. Komisioni ka vlerësuar që në këtë potez nuk duhet të prishet ansambli arkitektonik, rrjedhimisht që gabariti dhe fasada ballore nuk duhet të rrënohet andaj ka vendosur që të refuzohet kërkesa e palës për ndërtim të ri në këtë parcelë”, thuhet në përgjigjen e QRTK-së.

Në anën tjetër, në bazë të përgjigjes zyrtare të datës 2 korrik 2018 të marrë nga DUPH (Komuna e Prizrenit), konfirmohet se kjo drejtori “më 29 maj 2018 ka lëshuar aktvendim me të cilin është lejuar rrënimi i objektit ngase objekti ka qenë jashtë zonës së Qendrës Historike të Prizrenit dhe konsideron se nuk nevojitet rekomandimi nga QRTK-ja, përveç rasteve kur objekti gjendet në Listën e objekteve të mbrojtura.”

EC Ma Ndryshe, vendimin e DUPH-së për rrënimin e ndërtesës në fjalë e konsideron si vendim jo të drejtë dhe kontradiktor. Kjo drejtori fillimisht ka kërkuar pëlqim nga QRTK Prizren për lëndën në fjalë, i refuzohet kërkesa për rrënim dhe ndërtim të ri dhe më pas vet DUPH e konsideron se nuk ka nevojë për një rekomandim të QRTK-së. EC rikujton se Komuna e Prizrenit, gjegjësisht DUPH edhe pse ka filluar me procesin e hartimit të Hartës Zonale, ka ende në fuqi Planin Zhvillimor Urban 2003-13. Në bazë të analizave, të dhënave dhe konform parimeve ndërkombëtare për zonim të vlerave të trashëgimisë kulturore, ky Plan definon tri Zona nën Mbrojtje në kuadër të qytetit të Prizrenit: Zonën e Parë të Mbrojtjes (Qendrën Historike të Prizrenit), Zonën e Dytë të Mbrojtjes dhe Zonën e Kontaktit.

Ndërtesa për të cilën është dhënë leja për rrënim, gjendet në Zonën e Dytë të Mbrotjes. Sipas kapitullit 5 (Mbrojtja e trashëgimisë kulturore) të Planit Zhvillimor Urban (PZHU) të Prizrenit, gjegjësisht sipas nenit 5.11, të këtij kapitulli mes tjerash ceket se “Zona e Dytë e Mbrojtjes përfshinë pjesë të qytetit të vjetër me integritet më të vogël urbanistik dhe arkitektonik, por i cili mund të identifikohet si sistem i tërësishëm urban dhe që detyrimisht kërkon forma të koordinuara të veprimit. Kjo zonë akoma reflekton me komplekse dhe objekte me vlera historike, arkitektonike e ambientale por të cilat janë transformuar ashtu që është vënë në rrezik karakteri historik, arkitektonik dhe ambiental i zonës…”. Në nenin 5.15, pika 2 ceket se leja për zhvillim (përfshirë ndryshimin e destinimit ose rizhvillimin) do të jepet me kusht që: të avancohet karakteri i gjithëmbarshëm, pamjet dhe shtrirja e komplekseve me fizionomi të veçantë, si dhe i ndërtesave dhe terrenit përreth tyre.

EC Ma Ndryshe vazhdimisht ka shprehur shqetësimin për shkatërrimin e vlerave të trashëgimisë kulturore në Prizren dhe kërkon nga Komuna e Prizrenit, gjegjësisht DUPH, të mos merr hapa të ngutshëm të dhënies së lejes së rrënimit të ndërtesave të trashëgimisë, sepse humbja e vlerave të trashëgimisë është një proces i pakthyeshëm.

Përderisa QRTK në Prizren konsideron që ndërtesa në fjalë posedon vlera të trashëgimisë kulturore, kërkojmë urgjentisht edhe nga Ministra e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të vazhdojë me procesin e inteventarizimit dhe ta plotësojë Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme për gjithë territorin e Komunës së Prizrenit.

Të gjitha organet përgjegjëse shtetërore, pa përjashtim, duhet të veprojnë me seriozitet të plotë për zbatim të legjislacionit për ruajtjen dhe mbrojtjen e këtyre vlerave.


Etiketa:
Arivisti Company