Rreshtohen krah Thaçit për heqjen e taksës


E diel, 20 Janar 2019

PRISHTINË – Qeveria e Kosovës po përballet me presione ndërkombëtare për heqjen e taksës prej 100 për qind të vendosur ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, përderisa në spektrin politik kosovar ditëve të kaluara është zhvilluar një ‘luftë’ se kush duhet t’i mbajë meritat për vendosjen e kësaj mase doganore.

Nën anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi, të shtunën ka deklaruar se zhvillimet aktuale në Kosovë dhe disa nga veprimet e institucioneve vendore, po përcillen me shqetësim nga Qeveria amerikane, si dhe ka kërkuar që të mos cenohen raportet Kosovë-ShBA me “teke personale të asnjë lideri shtetëror”.

Lidhur me këto zhvillme, zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), si pjesë e koalicionit qeverisës, nuk i kanë komentuar specifikisht deklaratat e presidentit Thaçi, por të njëjtit thonë se vendimi për taksën duhet të jetë në koordinim me partnerët e Kosovës, siç janë ShBA-ja dhe Bashkimi Europian.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Zenun Pajaziti tha se qëndron pas deklarimeve të shefit të tij, Kadri Veselit.

“Kryetari i PDK-së e ka bërë një arsyetim dhe e ka pasë qëndrimin që kjo taksë në njëfarë mënyre ka reflektuar në proceset që kanë qenë, por njëkohësisht ka kërkuar dhe është zotuar që do të ketë koordinim me partnerët dhe që nuk do të ketë luhatje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me partnerin tonë kryesor”, theksoi Pajaziti, shkruan kallxo.com

Ndërkaq, deputetja tjetër e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se edhe pse Kuvendi është në pushim, janë duke i përcjellë zhvillimet aktuale, teksa vlerësoi se diskutimet e partnerëve të Kosovës, ShBA-së dhe BE-së, janë tejet të rëndësishme.

“Unë besoj shumë që gjatë ditëve të ardhshme do të ketë takime, ashtu siç është paralajmëruar edhe nga kryetari i partisë, Veseli, që do të ketë takime edhe me ambasadorin amerikan, për me diskutu këtë çështje. Natyisht që taksa ka pasë rëndësinë dhe peshën e vet për shkak të presionit të vazhdueshëm që Serbia e ka bërë dhe po e bën vazhdimisht në raport me jo vetëm me njohjen por edhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, theksoi ajo.

Sipas deputetes, me taksën ndaj Serbisë, Kosova e ka dëshmuar shtetësinë e saj.

“Ne duhet të sillemi si shtet dhe me këtë taksë Kosova e ka dëshmuar që është shtet i pavarur dhe sovran dhe duhet të sillemi ashtu në vazhdimësi, por gjithsesi kjo javë do të jetë e rëndësishme pasi do të ketë diskutime se cilat do të jenë modalitetet dhe cilat do të jenë vendimet që do t’i marrin Qeveria bashkë me partnerët lidhur me taksën”, tha Deliu-Kodra.

Ndërkaq, ditë më parë zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh nënkryetar i PDK-së, Enver Hoxhaj, pati thënë se taksa ndaj Serbisë ka qenë ide ekskluzive e tij, e cila ka marrë përkrahjen e kryeparlamentarit Kadri Veseli si dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Se merita për taksën është edhe e kryetarit të PDK-së, njëherësh kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, po vazhdojnë ta potencojnë zyrtarë brenda kabinetit të këtij të fundit.

Këshilltari i kryeparlamentarit Veseli, Blerim Latifi, ka thënë se taksa ndaj Serbisë në nivelin 100 për qind, ka qenë ide e kryetarit të Kuvendit.

“Veç përcilleni intervistën e kryetarit, është shumë e qartë kjo pjesë. Kryetari Veseli ka qenë që taksa të jetë në nivelin 100 për qind, kjo tashmë është një fakt i njohur, i ditur gjerësisht. Ajo që unë mund të konfiromoj është se ideja që taksa të jetë në nivelin 100 për qind është e kryetarit të Kuvendit, kaq”, është shprehur Latifi, teksa për deklarimet e presidentit Thaçi, ka thënë se nuk mund të jap qëndrim.

“Gjithçka do të dihet javën e ardhshme, por unë nuk mundem të flas për këtë çështje sepse nuk jam i thirrur të jap kurrfarë interpretimi për ato deklarata”, theksoi ai.

Por çfarë thonë deputetët e PDK-së për ‘luftën’ e meritave të eprorëve të tyre lidhur me taksën?

Deputeti Zenun Pajaziti (PDK) shprehet se Kosova nuk është në fazën që të vlerësohen meritat e askujt.

“Mendoj që tash jemi në një fazë kur na duhet një koordinim të procesit që të shkohet më tutje. Kështu që kur të përmbyllet ky proces, kur të arrihet një marrëveshje e dialogut, për çka po synojmë të gjithë dhe një njohje reciproke, pastaj kemi kohë të ulemi dhe me i pa meritat e secilit, ky është qëndrimi im”, u shpreh deputeti.

Edhe deputetja Blerta Deliu-Kodra (PDK), vlerëson se çështja e taksës nuk duhet të vendoset tek individët e caktuar.

‘Unë nuk besoj që kjo çështje duhet të vendoset tek individët, pasi është në pyetje shteti, është në pyteje serioziteti, kredibiliteti dhe sovraniteti i shtetit të Kosovës. Gjithë Kosova është sjellë si shtet, dhe gjithë që janë në koalicionin qeverisës dhe kjo është e rëndësishme që ne kemi dëshmuar një seriozitet në çështjen tonë me Serbinë dhe po ashtu që besoj që ky seriozitet do të vazhdojë edhe më tutje në qasjen tonë me partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh ajo për.

Përkundër presionit ndërkombëtar, kryeministri Ramush Haradinaj ka ripërsëritur se masa doganore ndaj Serbisë dhe Bosnjës nuk do të hiqet deri në një marrëveshje mes dy shteteve, që do të nënkuptonte edhe njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Etiketa: , , , , , ,
Të fundit