Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Rreth 15 mijë nënshkrime të mbledhura për bashkimin e Mitrovicës brenda një jave

Prizren Post | 23:22 - 30.12.2018

MITROVICË – Rreth 15 mijë qytetarë kanë hedhur nënshkrimin e tyre në peticionin që ka për qëllim bashkimin e qytetit të Mitrovicës.

Nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, thotë se peticioni do të dorëzohet në Kuvendin e Kosovës javën e parë të janarit, raporton KTV.

Ai shprehet i bindur se peticioni do të marrë mbështetje nga të gjithë deputetët.

Qytetarët thonë se nëse ka vullnet politik, bashkimi i qytetit do të ndodhë.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, nisi me idenë për bashkimin e qytetit në një komunë të vetme, pas dorëheqjes së kryetarit të Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq.

Bahtiri ka vazhduar përpjekjet për realizimin e idesë së tij me anë të peticionit, pasi kërkesa për ndryshim të ligjit për kufij iu refuzua nga Ministria e Pushtetit Lokal.

Ndonëse Bahtiri është shprehur i bindur se iniciativa e tij përkrahet edhe nga institucionet qendrore, ka qenë kryeministri Ramush Haradinaj, i cili iniciativën për bashkim të qytetit e ka parë joserioze.


Etiketa:
Arivisti Company