Rritja e pagave nga akciza, borxhi i jashtëm…


E shtunë, 21 Shtator 2013

Derisa kryeministri Thaçi, nëpër fushata, vazhdon të promovojë një numër fushash ku do të ketë rritje të pagave, Ministria e Financave vazhdon të thotë të mos e ketë bërë ende listën se ku do të ketë rritje të pagave.

Në një intervistë për KTV-në, ministri i Financave, Besim Beqaj ka thënë se brenda një periudhe të shkurtër kohore do të bëhet publike edhe shuma e rritjes së këtyre pagave.

Beqaj ka thënë se janë në përfundim të përgatitjes së buxhetit për vitin e ardhshëm që pritet të jetë 1.5 miliardë euro, por nëse shitet PTK-ja atëherë buxheti pritet të rritet edhe më shumë. Mirëpo, ai ka pranuar se megjithë përpjekjet, qeveria nuk ka arritur t’i përmbushë zotimet për rritjen ekonomike, transmeton Koha.net.

Pas rritjes së akcizës në duhan, Beqaj ka lënë mundësinë që akciza të rritet edhe në sektorë të tjerë brenda këtij viti. Beqaj nuk e ka përjashtuar mundësinë e rritjes së borxhit të jashtëm, pasi, sipas tij, janë një numër i madh institucionesh të huaja që i kanë ofruar kredi për investime. Deri tash vetëm 9 për qind është borxh i jashtëm, e, sipas tij, qeveria ka të drejtë të rrisë borxhin e jashtëm deri në 40 për qind.

I pari i kësaj ministrie ka thënë se shumë shpejt do të angazhohet një strukturë e cila do të merret me inspektimin e punës së Doganave dhe të ATK-së. Sa i përket zgjedhjes së drejtorit të ri të Doganave, Beqaj ka thënë se rishpallja e konkursit është bërë që t’iu mundësohet minoriteteve, por edhe njerëzve jashtë Doganës që të konkurrojnë për të parin e agjencisë që me vite të tëra po e mbush thuajse tërë buxhetin e vendit.

Etiketa: ,
Të fundit