Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Rrugëtimi i Hashim Thaçit deri në Presidencë

Prizren Post | 09:51 - 27.02.2016

Prishtinë – Kush është Hashim Thaçi dhe cila është rruga e tij nga një guerilas deri te pozita më e lartë në shtetin e Kosovës?


Për disa ditë rresht, Hashim Thaçi, ishte zhdukur nga shfaqjet në publik në nëntor të vitit të kaluar, kur misioni kryesor i tij në mandatin si ministër i jashtëm për ta anëtarësuar Kosovën në UNESCO dështoi.

Në pjesën më të madhe të vitit, Thaçi dhe ekipi i kishte investuar shumë kohë në udhëtime dhe takime me përfaqësues të shteteve anëtare të kësaj organizate e cila merret me çështje të arsimit, shkencës dhe kulturës në kuadër të OKB-së.

Tri vota më shumë se që mori iu deshën Kosovës për ta siguruar ulësen në këtë organizatë.

Por mungesa e votave për Thaçin nuk u hetua sot në Kuvendin e Kosovës kur “Gjarpri” i luftës ndërroi “lëkurën” e tij politike.

Ai mori besimin e deputetëve tek në raundin e tretë të votimit, por kjo nuk do t’ia dobësojë pozitën e as shkurtojë mandatin.

Por, prej sot, nga një njeri partiak tash e 16 vjet, Hashim Thaçi është President i Kosovës dhe Kushtetuta ia kërkon të sillet e veprojë si figurë që përfaqëson ‘unitetin e popullit’.

Por si erdhi Thaçi deri te posti i të parit të vendit?

Analisti Belul Beqaj, që për herë të parë thotë ta ketë njohur Thaçin në pranverën e vitit 1998 në zonën atëherë të çliruar të Malishevës, thotë se Thaçi i mban të fshehura pretendimet e tij.

Në dy- tri vitet e para të pasluftës, Beqaj u bë një bashkëpunëtor i Thaçit, por më pas u largua nga mjedisi i tij.

“Atëherë dhe sot (Thaçi) lëngon nga konspiracioni… Aftësia e tij që të manipulojë me njerëz është dëshmuar e suksesshme”, tha Beqaj për KALLXO.com.

“Kurrë nuk i ka shfaqur publikisht synimet politike, por veprimet e tija duke i sakrifikuar të gjithë dhe gjithçka për të arritur qëllimin tregojnë se aftësia e tij gjatë kësaj periudhe ishte dinakëria që t’i përdorë të gjithë dhe gjithçka për të arritur deri te qëllimi i synuar”, thotë Beqaj.

Thaçi, Kryetar dhe President

Në Nenin 87, Kushtetuta e Republikës së Kosovës thotë që mandati i Presidentit të Republikës fillon pas dhënies së betimit para deputetëve të Kuvendit.

“Duke marrë parasysh këto dy momente juridike, ndalesa që Presidenti të ushtrojë funksione në parti politike, e paraparë me Nenin 88, paragrafin 2, të Kushtetutës, fillon të jetë efektive menjëherë pas zgjedhjes së një kandidati në pozitën e Presidentit”, tha për KALLXO.com, avokati Dastid Pallaska, ekspert i çështjeve kushtetuese.

Ai tha se kjo ndodhë për faktin se “nëse Presidenti ushtron funksion në një parti politike qoftë edhe një ditë pas fillimit të mandatit të vet si President, ky veprim paraqet shkelje të rëndë të Kushtetutës që mund të shërben si bazë për shkarkimin e Presidentit”.

Sipas Pallaskës, veprimi i parë i një kandidati të sapozgjedhur në pozitën e Presidentit është heqja dorë nga të gjitha funksionet partiake që ka ushtruar më parë.

48 vjeçari nga Buroja e Skënderajt, të cilit i pëlqen të duket bukur në fotografi, dhe në pothuaj çdo udhëtim zyrtar merr me vete fotografistin profesional, që nga java e parë e prillit, atëherë kur zyrtarisht ta marrë detyrën e të parit të shtetit, do ta shohë fotografinë e vet të varur ballë çdo zyreje publike, në ballë të çdo klase të shkollës, për pesë vjet rresht.

Hashim Thaçi si bashkëpunëtor

I lindur në Burojë të Skënderajt, Hashim Thaçi, erdhi në Prishtinë si student i historisë. Në vitet e studimeve ai kreu edhe funksionin e prorektorit- student të UP-së.

Në biografinë zyrtare të vendosur në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se pas themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, policia serbe dështon në përpjekje për ta burgosur në vitin 1993.

Katër vjet më vonë, në një gjykim në mungesë në Gjykatën e Prishtinës të administruar nga serbët, Thaçi u dënua më 10 vjet burg.

Ky dënim dhe fletarrest i lëshuar nga gjykata serbe i nxori atij telashe në një rast kur qe ndaluar nga autoritetet hungareze në vitin 2003.

Në Kosovë, në këtë kohë, përveç se drejtonte partinë e dytë më të madhe politike, Thaçi kishte rolin e një deputeti.

Partia e tij, PDK, e drejtonte qeverinë e vendit falë një marrëveshjeje tripartiake për ndarjen e pushtetit pas zgjedhjeve të para parlamentare, por konsensusi ndërpartiak LDK-PDK-AAK e kërkoi që dikush tjetër, e jo Thaçi, ta drejtonte qeverinë.

Kësisoj, brenda natës, pa pritur e pa kujtuar, Bajram Rexhepi u thirr nga Mitrovica të zhvendosej në Prishtinë dhe në vend të mantelit të kirurgut, ta vishte frakun e politikanit.

Zgjedhjet e vitit 2004 e lanë PDK-në në opozitë deri në fund të vitit 2007, pasi Ibrahim Rugova e Ramush Haradinaj e morën qeverinë për vete.

Kjo është periudha e vetme që PDK ka qenë jashtë qeverisë dhe Thaçi e përmend shpesh se sa e vështirë është jeta e një politikani si opozitë.

Por çarja e LDK-së të cilës i parapriu vdekja e liderit historik të saj, Ibrahim Rugova, ia shtroi rrugën Thaçit drejt pushtetit.

Në deklarata për shtyp dhe në spote reklamuese të cilat filloi t’i transmetojë shumë muaj para zgjedhjeve, Thaçi i buzëqeshur, me një çehre krejt tjetër, i prezantohej elektoratit si kryeministër.

Hapja e partisë për emra të rinj nga jeta publike kosovare i ndihmoi edhe më shumë në arritjen e qëllimit.

Thaçi mblidhte emra të njohur nga bota akademike, juridike e mediale dhe i prezantonte para mediave.

Dhe kështu ka vazhduar edhe më vonë, kur ka parë se mbajtja e zgjedhjeve është e pashmangshme.

Vetëm tani e kishte ndryshuar strategjinë. Në vend të prezantimeve grupore të prurjeve të reja, tani ato i bënte individualisht.

Në valën e fundit të ‘rekrutimeve’, ekipit të Thaçit iu bashkua njëri ndër analistët më të njohur të vendit deri në atë kohë, Ardian Arifaj.

“Thaçin e kam vlerësuar prej kur ishte Drejtor Politik i UÇK-së, kur ka treguar se ka vizion dhe di të shikojë më larg, në këtë rast duke kuptuar se lufta e Kosovës duhet të luftohet dhe të fitohet edhe në rrafshin politik e jo vetëm në atë ushtarak”, thotë Arifaj për KALLXO.com.

“Si bashkëpunëtor dhe lider (Thaçi) ka një cilësi të rrallë ndër liderët politikë në Ballkan sepse i dëgjon dhe i merr parasysh këshillat e njerëzve rreth tij”, shton Arifaj.

Ai shprehet se Thaçi është treguar gjithmonë i gatshëm të evoluojë në qëndrimet e tij.

Zgjedhja e Thaçit President, thellim i krizës

Një tjetër që ishte rekrutuar nga Thaçi shumë vjet më parë se Ardian Arifaj është gazetari e analisti tjetër, Dukagjin Gorani.

Ai ishte bërë pjesë e ekipit të Hashim Thaçit në vitin 2007, por pak vjet më vonë ishte larguar.

Tani Gorani është një ndër kritikët më të mëdhenj publikë të ish- kryeministrit.

Gorani thotë për KALLXO.com se klima aktuale nuk flet në të mirë të zgjedhjes së Thaçit në postin e Presidentit.

“Me zgjedhjen e tij në këso klime dhe në këso atmosfere shoqërore futemi në një etapë të re të përshkallëzimit, ku nuk do të dalim pa transformim total dhe përmbajtjesor të strukturave të tëra udhëheqëse dhe të mentalitetit dhe kulturës politike të vendit”, tha Gorani.

Ai thotë se zgjedhja e Thaçit do ta pamundësojë kompromisin politik.

“Nëse do të kishte ekzistu një nevojë ose një hapësirë e vogël për kompromis, ajo zhduket me zgjedhjen e tij si President i vendit”, thotë Gorani.

Gorani i referohet situatës së krijuar pas nënshkrimit të marrëveshjeve me Serbinë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe asaj me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit kundër të cilave opozita ka protestuar ashpër, madje edhe me gaz lotsjellës në seanca të Kuvendit, me trazira në rrugët e Prishtinës dhe me gjuajtje me vezë ndaj zyrtarëve qeveritarë.

“Me zgjedhjen e tij, përfundon çdo mundësi e krijimit të ndonjë rruge të tretë ose ndonjë kompromisi, shkurt zgjedhja e tij e ndan vendin në dy tabore të konfrontuara dhe ai konfrontim mund të zgjatë me javë, me muaj e ndoshta edhe me vite”, parashikon Gorani.

Sado që pesë vjet më parë mënyra se si ishte zgjedhur Atifete Jahjaga në krye të shtetit ishte kritikuar gjerësisht në opinion, Gorani mendon se ajo zgjedhje “ishte shumë më e mirë dhe më e përshtatshme” se sa zgjedhja e Thaçit.

Thellim të krizës pret edhe ish politikani kosovar i viteve 1980, Azem Vllasi.

Ai tha për KALLXO.com se nuk ka ndonjë shenjë që palët do të mund t’i përafrojnë qëndrimet me zgjedhjen e Thaçit si President.

“Problemet politike veç janë aq të thella në vend sa që as Presidenti, as Kryeministri dhe as Parlamenti nuk japin shenja që do të mund t’i përafrojnë qëndrimet me opozitën dhe do të dalin nga kjo krizë, dhe se zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja variante që do ta bënte një rirreshtim në skenën politike”, tha Vllasi.

Ndërrimi i roleve LDK- PDK

Prapa në vitin 2000, shpërndarja e pjesëmarrësve nga një takim i Këshillit të Përkohshëm Administrativ të Kosovës (KPAK), një strukturë e shpikur nga UNMIK-u për t’i bërë bashkë liderët e Kosovës, kishte krijuar një situatë komike.

Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rugova, duke dalë nga takimi, kishin ndërruar palltot padashje.

16 vjet më vonë, PDK dhe LDK i kanë ndërruar rolet.

PDK është bërë ‘parti presidenciale’, ndërsa LDK është bërë ‘parti kryeministrore’.

Por Thaçi deri më tani njihet si lider i gjysmë-mandateve pasi asnjërin nga dy mandatet si kryeministër nuk e ka kryer të plotë.

As mandatin e tretë si Zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të cilin po e lë për t’u ngjitur në postin e Presidentit.

Si President, Kushtetuta ia garanton mandatin pesëvjeçar, por në rastin e tij, kismetit asnjëherë nuk i dihet.

Hashim Thaçi ndryshon me kohët që kalojnë dhe thinjat e flokëve që e kanë mbuluar, dhe Belul Beqaj e ka të qartë këtë. Ai e përshkruan transformimin e Thaçit, nga një ‘nacionalist idealist’ në ‘pragmatist materialist’.

“Nga Hashimi që e pata njoftuar në takimin parë, nuk ka mbetur as H- prej tij”, thotë Beqaj.


Etiketa:
Arivisti Company