Rusia në krizë ekonomike, Putin përgatit vendin për privatizim


E mërkurë, 10 Shkurt 2016

Moskë – Presidenti Vladimir Putin po shpreson të shesë aksionet e disa prej bizneseve më të vlerësuara të vendit për të grumbulluar para, pasi kriza ekonomike e Rusisë është rënduar shumë.

Sipas BBC-së, Putin diskutoi planet e privatizimit me zyrtarët e qeverisë ruse të cilët i udhëzoi se shitjet duhen bërë sa më shpejtë, por jo me çmime të ulëta.

Ndërkohë, mediat ruse shkruajnë se kompanitë të cilat cilësohen të rëndësishme nga pikëpamja strategjike nuk do të dalin në treg, ndërsa ata që duan të blejnë aksione nga kompani shtetërore ruse duhet të jetojnë në Rusi.

Në këtë kuadër kompania ajrore “Aeroflot”, gjiganti i naftës “Rosneft” dhe kompania hidroenergjetike “RusHydrom” mund të konsiderohen për privatizim. Aktualisht në të gjitha këto kompani qeveria ruse mban shumicën e aksioneve.

Ministri rus i Zhvillimit Ekonomik, Alexey Ulyukaev tha se privatizimi nuk duhet shtyrë më gjatë, por shtoi se nuk kishte arsye për panik. Rusia po pëson rëndë peshën e sanksioneve perëndimore dhe uljes së çmimit të naftës. Ekonomia e saj u zvogëlua me 3.7% në vitin 2015 duke e futur në 10 tregjet në zhvillim që u shfaqën më keq në botë,.

Këtë vit Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar se ekonomia ruse do të zvogëlohet edhe me 1% më shumë. Për shkak të krizës qeveria është detyruar që të shkurtojë shpenzimet.

Statistikat zyrtare tregojnë se aktualisht 20 milionë rusë ose 14% e popullsisë jetojnë në varfëri në krahasim me 16 milionë në vitin 2014./shekulli/

Etiketa: ,