Sa deputetë të koalicionit janë kundër demarkacionit?


E shtunë, 13 Gusht 2016

Prishtinë – Deputetët e “padëgjueshëm” të PDK-së dhe të LDK-së mund t’ia pamundësojnë “koalicionit të elefantëve” ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Koalicioni qeverisës i ka gjithsej 87 deputetët (duke llogaritur në deputetët e pavarur Blerim Shala dhe Margarita Kadriu), por në bazë të qëndrimeve që janë shprehur deri tani janë të paktën katër deputetë të PDK-së (Nait Hasani, Labinotë Demi-Murtezi, Raif Qela dhe Shaip Muja) dhe katër të LDK-së (Shpejtim Bulliqi, Vjosa Osmani, Arben Gashi, Besa Gaxherri), të cilët mund ta pamundësojnë ratifikimin e Marrëveshjes së 26 gushtit 2015

Përveç këtyre, votë kundër demarkacionit mund të pritet edhe nga deputetët e PDK-së, Xhavit Haliti, Adem Grabovci e Flora Brovina, të cilët kanë shprehur dyshime për Marrëveshjen. Gjithashtu, flitet edhe për votë kundër nga dy deputetët tjerë të LDK-së, Anton Quni e Adem Salihaj.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka thënë për “Zërin” se Kryesia e kësaj partie në takim me kryetarët e degëve i ka dhënë mbështetje Marrëveshjes së 26 gushtit, megjithatë ai thotë se ka deputetë të LDK-së që ende kanë dilema ose që janë kundër.

Megjithatë, Rugova thotë se dilemat janë hequr dhe se opozita, apo individë të opozitës, por edhe të tjerë nga pushteti nuk janë të brengosur për kufijtë e Kosovës, por sipas tij, ndoshta e kanë për privilegje të veta, për pozicionime të ndryshme.

Etiketa: , ,
Të fundit