E premte, 13 Shkurt 2015
Prishtinë – Buxhetit të shtetit partitë politike i kushtojnë më shumë se 4 milionë euro. Kjo shumë ndahet proporcionalisht për të gjitha partitë politike në bazë të ulëseve në Kuvend.
Një parti politike në bazë të përllogaritjeve, për një deputet merr 35 mijë euro për një vit, para këto që ndahen nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike në kuadër të Ligjit për financimin e partive politike.
Partia Demokratike e Kosovës, që ka numrin më të madh të ulëseve në Kuvend përfiton më së shumti nga ky fond. Kjo parti e cila ka gjithsej 37 deputetë, merr 35 mijë euro për një deputet, dhe kur kjo shifër përpjesëtohet del se PDK fiton nga ky fond 1 milion e 295 mijë euro, transmeton Gazeta Tribuna.
Partia e dytë Lidhja Demokratike e Kosovës nga ky fond përfiton 1 milion e 50 mijë euro, duke u paguar nga 35 mijë euro për 30 deputet që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa subjekti politik Vetëvendosje, nga ky fond përfiton 560 mijë euro për 16 deputetët.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt, nga ky fond përfiton 385 mijë euro për 11 deputetë që kanë fituar vota për ulëse në këtë legjislaturë të Kuvendit.
Lista Srpska, që ka hyrë në Kuvend me 9 deputetë nga fondi për financimin e partive përfiton 315 mijë euro.
Partitë politike përdorin këtë fond për nevoja partiake dhe në bazë të asaj që parasheh Ligji për financimin e partive politike.
Në bazë të ligjit ky buxhet që marrin partitë mund të përdoren për aktivitete politike, financimin e degëve, shpenzime materiale dhe për zgjedhjet lokale dhe qendrore. /Gazeta Tribuna/