Së shpejti ndërtimi i xhamisë së parë në Athinë


E martë, 19 Nëntor 2013

Së shpejti pritet të fillojë ndërtimi i xhamisë së parë në kryeqytetin grek, trembëdhjetë vite pas publikimit të këtij plani, bënë të ditur qeveria e këtij vendi.

Ministria e Infrastrukturës të enjten njoftoi se pas pesë përpjekjeve të mëparshme të dështuara për gjetjen e një grupi të biznesit që do të udhëheqë projektin e ndërtimit të këtij objekte fetarë, në tender është përzgjedhur një konsorcium grek, bënë të ditur AFP.

Athina është një nga të paktat kryeqytete evropiane, ku nuk ka asnjë xhami. Përkundër premtimeve të shumta, qeveritë e mëparshme nuk kanë siguruar ndërtimin e saj.
Për ndërtimin e xhamisë është siguruar një buxhet prej 946,000 eurosh. Xhamia do të shtrihet në hapësirën që dikur është përdorur nga ushtria, në një sipërfaqe prej 600 metra katrorë dhe nuk do të ketë minare.

Projekti do të përfundojë brenda gjashtë muajve pas nënshkrimit të kontratës, bënë të ditur ministria.
Për ndërtimin e Xhamisë në kryeqytetin grek, për herë të parë është diskutuar në vitin 2000, para Lojërave Olimpike të vitit 2004 në këtë qytet.

Këtë ide e ka kundërshtuar Kisha e fuqishme Ortodokse Greke, citon AFP.
Edhe pse kjo do të jetë xhamia e parë zyrtare në Athinë, në sajë të rritjes së emigrantëve nga vendet e Lindjes, janë krijuar disa vende jozyrtare, ku muslimanët i kryenin ritet e tyre fetare.

Më 8 shtator të këtij viti, Parlamenti grek, me shumicë votash- 198 nga 300 deputetë – miratoi vendimin për ndërtimin e një objekti fetar islam, të cilin pjesëtarët e këtij besimi janë duke kërkuar për vite me radhë.

Në Greqi, jetojnë afro 500,000 muslimanë, përfshirë këtu edhe bashkësinë e mbi 100.000 grekëve me origjinë turke, që jetojnë në verilindje të shtetit, në Traki.
Vendimi për ndërtimin xhamisë është mbështetur nga të gjitha partitë e mëdha të majtë dhe të djathtë.

Greqia gati katër shekuj ka qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane, por pas çlirimit të shtetit në shekullin 19, të gjitha xhamitë dhe objektet tjera islame janë larguar nga Athina.

Në Greqi, ku jetojnë më shumë se dhjetë milionë banorë, 95 për qind janë ortodoksë.