Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Seanca e kuvendit të enjten, sërish ftesë për opozitën

Prizren Post | 19:17 - 25.04.2016

Kryesia e Kuvendit ka caktuar datën 28 prill, për seancën plenare, në të cilën do të shqyrtohen disa projektligje dhe raporte të ndryshme.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, pas mbledhjes tha se edhe opozita duhet t’i kthehet punës në Kuvend.

Kuvendi i Kosovës, pritet të mblidhet në seancë të punës këtë javë. Kryesia e Kuvendit ka caktuar datën 28 prill, për seancën plenare, në të cilën do të shqyrtohen disa projektligje dhe raporte të ndryshme. Kryeparlamentari Kadri Veseli pas mbledhjes tha se edhe opozita duhet t’i kthehet punës në Kuvend.

Këtë javë, Kuvendi mblidhet në seancë plenare, seanca këto që kohëve të fundit kanë qenë më të rralla për legjislativin. Ligjvënësit do të kenë një sërë pikash të rendit të ditës për trajtim. Pas mbledhjes së Kryesisë, kryeparlamentari Kadri Veseli i bëri thirrje opozitës që t’i kthehet punës së Kuvendit, duke mos dashur t’i komentojë raportet mes tri partive opozitare.

Veseli, foli për një komunikim të vazhdueshëm me opozitën, por jo me liderët e saj, ndërsa theksoi se ka një klimë të mirë se shumë shpejt do të tejkalohet kriza politike.

Kryeparlamentari tha, se do të insistojë që të ketë takim të përbashkët të të gjithë liderëve të partive politike, për të biseduar për interesin e qytetarëve. Por, nuk e tha qartë nëse zgjedhjet mund të dalin si opsion nga dialogu me opozitën.

Veseli foli edhe për zgjedhjet serbe, duke thënë se do të kërkohet reciprocitet nga Serbia.

Ndryshe, në seancën që është caktuar për 28 prill, Kuvendi, ndër të tjera për shqyrtim do t’i ketë disa projektligje dhe raporte, mes të cilëve edhe raportin e Komisionit për Integrime Evropiane, lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit, për kompetencat e zgjeruara, për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale dhe Raportit të performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2014.


Etiketa:
Arivisti Company