E martë, 3 Mars 2026

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në kazermën “Ilinden” në Shkup, realizoi vizitë në Ushtri, e cila u zhvillua në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu.
Rutte u prit nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-major Sashko Llafçiski dhe ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.
Në kuadër të vizitës, shefi i NATO-s iu drejtua pjesëtarëve të Ushtrisë duke theksuar kontributin që Maqedonia e Veriut jep në kuadër të Aleancës.
“Ju me të vërtetë veproni mbi kapacitetet tuaja kur bëhet fjalë për Forcat e Përparuara Tokësore (Forward Land Forces)”, theksoi Rutte, duke potencuar se “me këtë kujdeseni që vërtet të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të Aleancës”.
Gjatë vizitës u realizua inspektim i njësive të rreshtuara, si dhe i pajisjeve dhe mjeteve me të cilat disponojnë Grupi i Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë dhe njësitë e deklaruara nga përbërja e Batalionit të Forcave Speciale.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin në forcimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut në kuadër të Aleancës, gjeneral-major Llafçiski i ndau Rutte-s Pllaketën e Madhe të Ushtrisë.
Në ngjarje morën pjesë gjeneralë të Ushtrisë dhe përfaqësues nga Ushtria dhe Ministria e Mbrojtjes.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
