Sekretari Kerry: Rusia po mundohet të ndezë zjarr të ri


E shtunë, 11 Korrik 2015

Gjenerali Dunford dhe Sekretari i Shteti Kerry, ripërsëritën rrezikun që vjen nga Rusia jo vetëm për SHBA, por edhe për Ballkanin. Kerry rikonfirmoi se vija e zjarrit janë Kosova, Mali i Zi, Maqedonia.

Java që lamë pas shënoi një rënie të re në marrëdhëniet Amerikano-Ruse që sipas shumë analistëve aq shumë janë ftohur sa tashmë janë kthyer në periudhën e ‘luftës së ftohtë.’ Ftohjes së mëtejme i kontribuan vetoja ruse në Këshillin e Sigurimit në rezolutën për Srebrenicën që e cilësonte si gjenocid vrasjen e 8 mijë myslimanëve boshnjakë nga forcat serbe dhe deklarata e të nominuarit për shefin e shtatmadhorisë së ushtrisë amerikane, gjeneralit Joseph Dunford i cili tërhoqi vërejtjen për kërcënimin më të madh që i vie vendit nga Rusia.

Gjenerali Dunford tha se ‘sjellja agresive e Rusisë dhe arsenali i saj bërthamor e bëjnë atë si vendin me kërcënimin më të madh për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Gjenerali Amerikan i bëri këto deklarata të enjten në një seancë konfirmuese të Senatit rreth emërimit të tij në postin e shefit të shtatadhorisë së ushtrisë.

Pothuajse gjatë gjithë seancës kurdo që shtroheshin pyetje nga senatorët rreth kërcënimeve për SHBA-të, Gjenerali Dunford përsëriste rrezikun që vie nga Rusia, duke e karakterizuar si një nga vendet e pakta në botë, apo ndoshta i vetmi që konsiderohet si një kërcënim për SHBA-të.

Për rrezikun që paraqet Rusia jo vetëm për SHBA-të, por edhe për Ballkanin, në shkurt foli edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry poashtu gjatë një seance në Senat kur tha se Rusia po mundohet të ndez një zjarr të ri duke i kthyer disa vende në anën e saj dhe këtë e cilësoi si një veprim të rrezikshëm. I pyetur të ishte më specifik për vendet në vijën e zjarrit, Sekretari Kerry tha se ato ishin Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Etiketa: , ,
Të fundit