Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Selimi dhe Lushtaku shtrohen në spital

Prizren Post | 16:59 - 22.07.2013

Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi, i cili prej dy muajsh mbahet në paraburgim nën dyshimet për krime lufte, është shtruar të shtunën vonë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Lajmin e bën të ditur gazeta “Express”, sipas të cilës Selimi u dërgua në QKUK në gjendje të rëndë shëndetësore. Zëdhënësi i klinikës, Shpend Fazliu ka deklaruar të hënën për gazetën se aktualisht Selimi po trajtohet në repartin e kardiologjisë.

“Të shtunën rreth orës 23:30, zoti Selimi ka kërkuar ndihmën mjekësore në kuadër të Klinikës Emergjente të QKUK-së, për shkak të problemeve shëndetësore”, ka thënë Fazliu për “Express”.

“Pas ndihmës së parë, ai është mbajtur për trajtim të mëtejshëm. Për momentin nuk mund të jepen informata më të detajuara, pasi janë duke u bërë analiza mbi gjendjen e tij shëndetësore”, ka shtuar Fazliu.

Ndërkohë, “RTK” raporton se bashkë me Selimin në spital është shtruar edhe kryetari i komunës Skënderaj, Sami Lushtaku, i cili ndodhej po ashtu në paraburgim.

Lushtaku dhe Selimi, si dhe 5 bashkëluftëtarë të tyre të njohur si Grupi i Drenicës, dyshohen për krime lufte. Deri në fund të shtatorit, prokuroria pritet të vendosë nëse do të ngrejë apo aktakuzë ndaj tyre. / TCH


Etiketa:
Arivisti Company