Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Serbët marrin pjesë në luftën e Sirisë

Prizren Post | 20:01 - 18.11.2013

Në konfliktin e armatosur në Siri, aktualisht janë të angazhuar edhe 60 shtetas serbë, të cilët luftojnë në anën e kryengritësve.

Të gjithë janë pasues të vehabizmit ekstrem, ndërkohë që sipas shërbimeve serbe të sigurisë, në mesin e tyre ka edhe ortodoksë të konvertuar në islam. Të gjithë janë pa përvojë luftarake, mirëpo dinë të përdorin mirë të gjitha llojet e armëve, thonë zyrtarët serbë.

Në Siri janë angazhuar disa mijëra luftëtarë të huaj, të cilët kryesisht u janë bashkuar forcave kryengritëse.

Disa qindra mercenarë janë me prejardhje nga Ballkani. Nga Serbia, kryesisht nga Novi Pazari, në Siri luftojnë 30 persona.

Por atje ndodhet edhe një grup myslimanësh nga lagja Ledine në Novi Beograd si dhe një grup të konvertuarish serbë, përkatësisht mercenarë nga Shumadija.

Bëhet fjalë për persona, të cilët nën ndikimin e fanatikëve myslimanë janë konvertuar në islamë dhe të cilët që prej nisjes së luftës në Siri, kanë shkuar në front disa herë.

Shërbimet serbe të sigurisë i dinë të gjithë emrat e tyre, mirëpo nuk japin hollësi të tjera.

Sipas autoriteteve serbe vehabistë ekstremistë paguhen deri në 5 mijë euro.

Autoritetet e këtij vendi nuk përjashtojnë mundësinë që këta mercenarë të kthehen në Serbi, si persona të radikalizuar dhe që mund të jenë pjesë e kërcënimeve terroriste në të ardhmen.

Megjithatë sipas tyre, ende nuk ka të dhëna se ndonjëri nga ata ka bërë përpjekje që në Serbi të krijojë ndonjë grup që ka lidhje me Al Kaedan.


Arivisti Company