E martë, 30 Korrik 2013
Leposaviq, 30 korrik – Për shkak të arrestimit të dy serbëve vazhdon të mbahet e bllokuar rruga Prishtinë-Rashkë. Rruga është bllokuar nga serbët lokalë në Rudar, njofton Tanjug. Ata qysh të hënën në orën 15, pas arrestimit të dy serbëve, kanë vendosur në rrugë kamionë, që e bëjnë të pamundur qarkullimin.
Mediet po ashtu njoftojnë se mbrëmë pasmesnatës është sulmuar me koktej molotovi një veturë e EULEX-it. Ndërsa policia po e heton rastin, raportohet se në këtë këtë sulm kanë marrë pjesë dhjetë persona.
Njoftohet se dy serbëve të arrestuar nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë. Avokati Luba Pantoviq i ka thënë Tanjudut se Sllobodan Repiq (28) është arrestuar me dyshimin se më 7 dhjetor të vitit të kaluar në Mitrovicë ka shtënë me armë zjarri kundër zëvendësdrejtorit të Zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës, Dushan Millosavleviq. Avokati i të arrestuarit tjetër, Zharko Veselinoviqit ka deklaruar se ky mbahet në polici me dyshimin për armëmbajtje pa leje.