Shaqiri me dy gola i jep fitoren Bajernit


E shtunë, 15 Shkurt 2014

Vazhdon rrugëtimi i Bayern Munichut drejt titullit të radhës në Bundesliga. Me rezultat 4-0, bavarezët e mposhtën Freiburgun në Allianz Arena.

Pas një krosimi të Diego Contentos, Dante e zhbllokoi rezultatin me kokë (19’), ndërsa ky ishte goli i tij i dytë sezonal.

Në skenë doli Xherdan Shaqiri, i cili mori një top nga Pizarro dhe e dërgoi në rrjet (34’).

22-vjeçari shënoi edhe golin e dytë personal pa përfunduar pjesa e parë. Toni Kroos u angazhua për ta nxjerrë në rast Shaqirin, i cili e ngriti epërsinë në 3-0 për vendasit (41’) dhe njëherësh i dha fund dilemës për fituesin.

[youtube iAgPjTh1UZM]

Në minutën e 61-të, mesfushori shqiptar u largua nga fusha nën duartrokitjet e publikut në Allianz Arena, ndërsa vendin e tij e zuri Bastian Schweinsteiger, i cili u kthye nga lëndimi.

Vendasit shënuan edhe një gol deri në fund të takimit. Realizues ishte Claudio Pizarro (88’).

Kjo ishte fitorja e 19-të e Bayern Munichut pas 21 javësh (dy ndeshjet tjera i ka mbyllur me barazim) dhe numëron 59 pikë në krye të tabelës.

Fitore ka shënuar edhe Borussia Dortmundi që me rezultat të thellë (4-0) e ka mposhtur Eintracht Frankfurtin.