Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

SHBA: Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi është në rregull

Prizren Post | 14:52 - 21.12.2015

Prishtinë – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka njoftuar se Departamenti Amerikan i Shtetit ka shqyrtuar vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi të përgatitur nga Komisioni Shtetëror i Kosovës për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror.

“Ne e kuptojmë që baza për Komisionin për Demarkacion ishte Kushtetuta Jugosllave 1974, e cila përcakton kufirin e Kosovës nga kufijtë administrativ të komunave, të cilat janë të ndara në zona kadastrale. Kjo bazë e përshkrimit është përdorur edhe në Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin në vitin 2007 e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës 2008”, shkruan në komunikatën e ambasadës amerikane, transmeton Republika.info.

Sipas ambasadës, pas një shqyrtimi të hartave të viteve 1940 deri më sot, duke përfshirë edhe ato të përdorura nga komisioni për shënimin e kufirit, Departamenti i Shtetit Amerikan ka ardhur në përfundim që vija kufitare e përcaktuar nga Komisioni për Demarkacion është me një vijë me atë të Kushtetutës së vitit 1974.

“Kufijtë e përshkruar që nga viti 2008 përputhen plotësisht me propozimin e vitit 2015 deri në detaje. Ne konstatojmë se përfundimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit është një kusht i BE-së për liberalizimin e vizave dhe paraqet një hap të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian”, thuhet në konstatimin e Departamentit Amerikan të Shtetit. /Republika.info/


Etiketa:
Arivisti Company