E premte, 23 Gusht 2013
Washington, 23 gusht – Presidenti i SHBA-së, Barack Obama tha se ndalja e ndihmës për Egjiptin “ndoshta nuk do ta kthejë atë që bën qeveria e përkohshme”.
Në intervistën e transmetuar sot në rrjetin televiziv CNN, Obama tha se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të kujdesshme kur ta shqyrtojnë shkurtimin e shumës prej 1.5 miliard dollarësh, pjesa më e madhe e së cilës është ndihmë për ushtrinë e Egjiptit. Sipas tij, Washingtoni nuk dëshiron të shihet se i ndihmon dhe i mbështet aksionet që udhëhiqen në kundërshtim me vlerat e SHBA-së.
Më tutje ai ka theksuar se ndihma nuk ishte ndalur menjëherë pasi ushtria e Egjiptit e përmbysi dhe e arrestoi presidentin Mohamad Morsi, më 3 korrik, meqenëse Washingtoni shpresonte në përdorim të diplomacisë për ta inkurajuar ushtrinë të synojë pajtim me grupet që e mbështesin Morsin, transmeton Rel.
Obama ka pranuar se ushtria e Egjiptit “nuk e ka shfrytëzuar rastin”.
Qindra njerëz, shumica prej tyre mbështetës të Morsit, janë vrarë nga dhuna në Egjipt, prej 3 korrikut.
Etiketa: Amerika, Barack Obama, Egjipti, ushtria