E hënë, 15 Shtator 2014
Ambasada amerikane në Prishtinë, ka thënë se ajo ka kontakte me Vetëvendosjen në nivele të grupeve të punës, por, ka mohuar se kjo parti ka pasur takime me zyrtarë të lartë të SHBA-së.
“Pohimet e bëra së fundmi në një intervistë me Klan Kosova se zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje janë takuar me zyrtarë të lartë të State Department janë të pasakta”, theksoi Ambasada e SHBA-së në përgjigjet me shkrim për emisionin Info Magazine.
Reagimi i Ambasadës vjen pas deklaratave të Sekretarit organizativ të Vetëvendosjes në Klan Kosova, Dardan Molliqaj, se edhe “SHBA-të e kanë kuptuar se Vetevendosje është zgjidhja më e mirë për Kosovën”.
Sipas Ambasadës Amerikane, ka “kontakte të rregullta të nivelit të punës me Lëvizjen Vetëvendosje”
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, ka ripërsëritur se Ambasadorja Tracy Ann Jacobson, do të takohej me Vetëvendosje nëse kjo e fundit, do të tërhiqej publikisht nga praktikat e dhunës.
“Sikur që ka deklaruar Ambasadorja edhe më parë, ajo do të ishte e lumtur të takonte Vetëvendosjen dhe të ketë shkëmbim të mendimeve, edhe në qoftë se ato janë të papajtueshme, nëse Vetvendosje do të tërhiqej publikisht nga praktikat e intimidimit fizik”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ambasadës së SHBA-së.
Etiketa: Ambasada Amerikane, Kosovë, Vetëvendosje