Sherifi: Ne po shikojmë, sovrani po flet


E diel, 22 Tetor 2017

Sekretari i Përgjithshëm i Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi, e ka quajtur ditë të madhe për vendin, procesin e sotëm të zgjedhjeve lokale që po mbahen në Kosovë.

Ai në një konferencë për media theksoi se përmes zgjedhjeve lokale, qytetarët do të shprehin atë se si ata e perceptojnë dhe e shohin udhëheqjen e komunës për katër vitet e ardhshme.

“Sot është dita kur flasin ata, ne vetëm dëgjojmë dhe shikojmë. Pas orës 19:00 të gjithë do të marrim përgjigje nga ai, sovrani pra, gjatë këtyre 12 orëve do të flet. Presim ashtu edhe ka filluar që dita e sotme të zhvillohet e qetë, në shenjë festive dhe ne fund të këtij procesi të gjithë së bashku votues, politikan, të votuar të festojmë për një proces të drejtë, fer dhe një proces përmes së cilit do të qeverisen komunat gjatë katër vitet e ardhshme”, tha Sherifi.

I pyetur nëse kanë parë ndonjë parregullsi gjatë procesit të votimit, Sherifi tha se në përjashtim të atyre që tashmë KQZ-ja i ka eliminuar, nuk kanë ndonjë informatë për parregullsi.

Madje, sipas tij, procesi po shkon sipas kornizave perëndimore dhe se nuk dëshiron as të ndalet tek ato parregullsi, të cilat, thotë ai, as që arrijnë ta prishin këtë proces zgjedhor.

Etiketa: , , ,