Shoqatat e dala nga lufta të premten në protesta për Specialen


E enjte, 25 Qershor 2015

20150625120504548620

Nesër në Prishtinë do të protestohet përsëri. Organizatat e dala nga lufta, të premten do të dalin në rrugë, për të kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale.

Ato në vazhdimësi e kanë kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate. Sipas tyre, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është dëshmuar mjaftueshëm si e drejt dhe e pastër.

Xhevdet Qeriqi, Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, në një deklaratë për KosovaPress, për mes linjës telefonike, tha se tre herë kanë dal në protesta për ta kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale dhe prapë do të mund ta bëjnë në rast nevoje.

“Gjithashtu ne prapë do të jemi kundër saj, dhe nëse është nevoja dhe do të protestojmë, por po presim vendimin e Organizatës së Veteranëve. Në rast se ka protesta, ne do t’i bashkohemi atyre dhe do ta kundërshtojmë fuqishëm një gjykatë të tillë”, u shpreh Qeriqi.

Sipas tij, luftës së UÇK-së po i bëhet një e padrejtë nga ana e ndërkombëtareve, ngase botërisht dihet se kush ka kryer krime në Kosovë.

“Fatkeqësisht që po merren me neve ndërkombëtaret, sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të pastër”, ka shtuar mes tjerash ai.

Ndërsa sa i përket ultimatumit që i kanë dhënë Qeverise së Kosovës, deri ditën e martë, për nxjerrjen e listave përfundimtare të veteranëve, Qeriqi tha se mbrëmë e kanë pasur një takim dhe tani po presin për ndonjë ndryshim në ditët në vijmë.

“Në rast se nuk ndodh, ne kemi vendos për protestën e radhës dhe ketë do ta bëjmë publike përmes një konference për media”, deklaroi Qeriqi.

Qytetarët kanë mendime të ndryshme lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale, disa prej e përkrahin atë, ndërsa të tjerë e shohin të panevojshme themelimin e saj.

Azem Dragusha, qytetar i Prishtinës, tha se the melimi i Gjykatës Speciale është dashur të bëhet që moti.

“Po qysh jo more, u është dashtë moti me u themelua se gjykata nuk funksionon, s’ka funksionuar 15 vjet, dikush duhet me i marr këto përgjegjësi. Qysh nuk ka nevojë, edhe bile shumë shpejt”, tha Dragusha.

Edhe Vigan Kamera, thotë se me themelimin e kësaj gjykate do të dalin para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime.

“Unë jam pro Gjykatës Speciale në Kosovë, sepse aty mund të zbulohet edhe për krimet që janë organizuar në Kosovë gjatë luftës së vitit 1999. Të dihet dhe të shpallet fajtori që ka bërë këto krime”, ka shtuar Kamera.

Ndërsa, Mehmet Kodraliu shprehet kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

“Po pse me u themelua ne s’kemi nevojë me themelua gjykatë, ne i kem gjykatat tona. Qysh me dyshua, na si popull e gëzojmë lirin prej UÇK-së e qysh me dyshua në ta”, tha Kodraliu.

Ndërsa rreth themelimit të Gjykatës Speciale, Kuvendi i Kosovës pritet qënë seancën e së premtes (nesër) të diskutoj për amendamentet për dhomat e specializuara të kësaj gjykate.Partitë opozitare vazhdimisht janë deklaruar kundër themelimit të Speciales, derisa pozita, presidentja dhe misionet diplomatike po bëjnë thirrje në vazhdimësi që Kuvendi ta votojë gjykatën, para se një gjë të tillë ta bëjë Këshilli i Sigurimit.