Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Shpend Ahmeti s’lejon ndërtimin e xhamisë prej katër vitesh – në zgjedhje morën votat e muslimanëve

Prizren Post | 14:14 - 24.06.2017

“Këto themele që sot po vihen, janë jo vetëm themele të një objekti të kultit, por më shumë se kaq: themele të një objekti që do të ndihmojë besimtarët në rrugën e tyre të fesë, por edhe të gjithë qytetarët e Kosovës që duan të nxënë dijen për fenë”.

Këto fjalë janë thënë nga Arifete Jahjaga, si Presidente, më 8 tetor 2012, kur ishin vendosur themelet për ndërtimin e xhamisë në qendër të Prishtinës.

Prej atij momenti s’ka lëvizur pothuajse asgjë në drejtim të përmbylljes së këtij projekti. Dhe, është Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti që s’ka lejuar vazhdimin e punimeve me arsyetimin se projekti do të rishikohet.

Në një reagim publik, Ahmeti kishte thënë se duhet rishikuar procesi. Kishte thënë se në këtë projekt duhet të përfshihen edhe banorët.

“Përveç nevojës së komunitetit të besimtarëve që është e plotësisht e qartë, duhet të trajtohet i gjithë blloku, lagja, komunikacioni dhe shumë çështje të tjera. Prandaj me trajtime nga ekspertët, zyrtarët, banorët dhe përfaqësuesit e komunitetit do ti zgjidhim të gjitha çështjet”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Në këtë situatë, myslimanëve kosovarë u ka humbur durimi. Ata e duan xhaminë e madhe sa më shpejtë në kryeqytet, pasi që kanë pesë vite që e presin ndërtimin e saj.

Por, në tokën e ndarë për faltore, udhëheqja e re e Komunës së Prishtinës, në krye me Shpend Ahmetin nuk po lejon fillimin e punimeve.

Një vit më parë ai kishte premtuar se xhamia do t’i bëhet dhuratë besimtarëve gjatë muajit të Ramazanit, shkruan Gazeta Fjala.

Për këtë ka reaguar edhe Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava i cili ka kërcënuar se do të ndërtojnë edhe pa leje nëse komuna heshtë karshi kërkesës së besimtarëve mysliman.

Ai e ka quajtur të pakuptueshëm faktin që prej pesë vitesh qeverisja lokale e Prishtinës nuk po e jep lejen për ndërtimin e xhamisë qendrore, lokacioni për të cilën është ndarë te Posta e Madhe.

Mos ndërtimi i kësaj xhamie Tërnava ka thënë se ka bërë që në drejtim të tij të shkojnë shumë mesazhe, një pjesë e tyre edhe fyese nga anëtarët e komunitetit që ai përfaqëson.

Me plotë të drejtë, më kanë thënë, kryetar pse po vazhdon të qëndrosh në krye të Bashkësisë Islame kur ke dështuar që ta ndërtosh xhaminë”.

Kreu i Bashkësisë Islame, ka thënë se ai do të jetë në krye të këtij vendimi edhe nëse do të duhet të arrestohet dikush për këtë. E adresa thotë se është ai vet.

Ndërkaq, hapësira prej 81 ari, ishte ndarë nga Komuna e Prishtinës, për ndërtimin e Xhamisë, por që nga viti 2012 në mungesë të lejes, ka mbetur vetëm gurthemel dhe vazhdon të shfrytëzohet për parking nga PTK-ja.

Para një viti Erzen Vraniqi, zyrtarë në Komunën e Prishtinës, pati thënë se lënda është akoma në shqyrtim dhe se brenda afatit të paraparë me ligj do të shqyrtohet dhe do të merret vendimi.

“Për momentin lënda është akoma në shqyrtimin.  Brenda afateve ligjore do të merret vendimi”, kishte thënë Vraniqi për Gazetën Fjala.

Në atë kohë edhe Bashkësisë Islame i ishin kthyer shpresat se do të fillojë ndërtimi i Xhamisë Qendrore në Prishtinë, pasi që pritej që gjatë muajit të Ramazanit do të jepej leja për ndërtimin e saj në Komunën e Prishtinës.

Për Gazetën Fjala, kryeimami Sabri Bajgora, pati thënë se BIK-u, tashmë u ka dorëzuar kërkesën për marrjen e lejës për ndërtimin e xhamisë në komunën e Prishtinës dhe se kanë marrë premtime nga kreu i Komunës, Shpend Ahmeti se xhamia do t’i bëhet dhuratë besimtarëve gjatë muajit të Ramazanit.

“Procedurat tashmë kanë mbetur tek komuna e Prishtinës. Ka afro një muaj e gjysmë që ne e kemi dorëzuar në komunë. Madje kemi pas edhe një takim me vet kryetarin Ahmeti i cili na ka premtuar se në muajin e Ramazanit do të na gëzojë me leje”, ka thënë për Gazetën Fjala, kryeimami Sabri Bajgora.

Ndërkohë që Gazeta ka provuar që të marrë edhe një përgjigje nga komuna e Prishtinës, por ata nuk qenë të gatshëm që të japin detaje rreth kësaj çështjeje.

Ndërtimi i Xhamisë Qëndrore sipas planifikimeve është dashur që të fillojë në tetor të vitit të kaluar.

Madje edhe vet kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava kohë më parë pati deklaruar se ndërtimi i xhamisë së re në Prishtinë parashihet të fillojë më 4 tetor, pasi paratë janë sigururar dhe se problem është vetëm leja.

“Paratë për ndërtimin e xhamisë janë donacion nga Turqia, i njëjti burim që ka financuar edhe ndërtimin e xhamisë në Tiranë. Problem është vetëm leja. Ata nuk munden të na e caktojnë neve se si do të duhet të duket projekti. Atë projekt e ka zgjedhur populli, siç po thuhet tani, e ka zgjedhur sovrani”, ka thënë Tërnava.

Ndërtimi i kësaj Xhamisë Qendrore parashihet që të kushtojë rreth 20 milionë euro dhe më parë BIK-u, për ndërtimin e saj kishte kërkuar edhe përkrahje materiale nga qytetarët e Kosovës dhhe kishte hapur disa xhirollogari në banka të vendit. (Arjeta Shabani)


Etiketa:
Arivisti Company