Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Shqipëria anulon pjesëmarrjen në samitin e SEECP në shenjë solidariteti me Kosovën

Prizren Post | 14:32 - 07.07.2019

TIRANË – Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka njoftuar se Shqipëria nuk do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) organizuar nga Bosnje-Hercegovina.

Në një postim në rrjetin social Twitter, Ministri në Detyrë shkruan se trajtimi nga organizatorët në drejtim të Kosovës është i papranueshëm.

Cakaj thotë se trajtimi ndaj Kosovës shkon kundër synimit për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe stabilitet. Ministri në Detyrë Cakaj shkruan se nuk mund të ketë bashkëpunim pa trajtim të barabartë, njofton TCH.

Një Ditën më parë Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se ftesa denigruese e kryetarit aktual të kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, e bënë të pamundur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë takim. Si pasojë e kësaj Thaçi ka refuzuar që të marrë pjesë në takim.

“Kosova gjithmonë ka qenë dhe është e gatshme për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje e Hercegovinën dhe për njohje reciproke. Por, fatkeqësisht, ky vullnet i ynë është keqpërdorur në vazhdimësi, njësoj sikurse tani me rastin e organizimit të SEECP-së nga Bosnja e Hercegovina. Minimumi që kërkon Kosova për pjesëmarrje në forume të tilla është trajtimi i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse.

Sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antievropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë. Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe të ardhme euroatlantike, mirëpo nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush”, tha Thaçi një ditë më parë.


Etiketa:
Arivisti Company