Shqipëria dhuroi 1 milion euro për fushatën e ndihmës për tërmetet në Turqi


E enjte, 16 Shkurt 2023

ANKARA – Kryeministri shqiptar Edi Rama dhuroi të mërkurën 1 milion euro për fushatën e re të Turqisë për viktimat e tërmetit të quajtur “Turqia Një Zemër”.

Kompani, institucione, organizata dhe individë kanë bërë donacione për fushatën nëpërmjet një transmetimi të përbashkët të drejtpërdrejtë përmes 200 stacioneve televizive dhe 500 radiove.

Duke iu drejtuar kombit turk si zëri i Shqipërisë, Rama tha se janë thellësisht të pikëlluar nga ajo që ndodhi në Turqi.

“Ne jemi një vend i vogël, por kemi një zemër të madhe. Nuk do ta harrojmë kurrë atë që Turqia dhe Presidenti (Recep Tayyip) Erdogan bënë për ne në vitin 2019, kur tërmeti goditi Shqipërinë. Ne jemi të gatshëm të bëjmë çmos për të mbështetur popullin turk. Jam i sigurt se falë përpjekjeve të Turqisë, gjithçka do të arrihet”, tha ai.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shënuan të hënën një ditë zie kombëtare për tërmetet shkatërruese të javës së kaluar në Turqi dhe Siri.

Flamujt në institucionet shtetërore dhe vendet publike u valuan në gjysmë shtizë gjatë gjithë ditës së zisë të shpallur nga dy qeveritë.

Përfaqësitë diplomatike jashtë shtetit të dy kombeve gjithashtu ulën flamujt e tyre në gjysmë shtizë, siç ishte ai i Shqipërisë në selinë e NATO-s në Bruksel.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që i dha mbështetjen e saj Turqisë pas tërmeteve të 6 shkurtit.

Përpjekjet e kërkim-shpëtimit u ndihmuan nga një ekip fillestar shqiptar prej 53 personash nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, e ndjekur nga 20 persona të tjerë dhe pesë vullnetarë nga kryeqyteti, Tirana, shkroi Aanadolu Agency.

Gjithashtu, tre autoambulanca, dy kamionë dhe dy mikrobusë kanë mbërritur në zonat e tërmetit nga vendi ballkanik.

Donacionet e mbledhura përmes fushatës do t’i dërgohen Presidencës së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD) dhe Shoqatës së Gjysëmhënës së Kuqe Turke.

Të paktën 35,418 njerëz kanë humbur jetën dhe 105,505 janë plagosur në tërmetet që tronditën Turqinë jugore javën e kaluar, sipas shifrave të fundit.

Më 6 shkurt, tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 goditën Turqinë jugore, me qendër në Kahramanmaras dhe tronditën nëntë provinca të tjera – Hatay, Gaziantep, Adiyaman, Malatya, Adana, Diyarbakir, Kilis, Osmaniye dhe Sanliurfa, duke prekur më shumë se 13 milionë njerëz.

Në Siri, të paktën 3,688 njerëz u vranë dhe mbi 14,749 u plagosën.

Etiketa: , , , ,
Të fundit