“Shqiponja”, fjala e vitit në Zvicër


E enjte, 6 Dhjetor 2018

Në fund të qershorit, gjatë ndeshjes kundër Serbisë në Kampionatin Botëror të Futbollit, lojtarët e Zvicrës Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri pasi tundën portën e serbëve, bënë një gjest triumfues: formuan shqiponjën me gishta.

Triumfit iu bashkua edhe lojtari Stephan Lichtsteiner.

Gjesti me shqiponjë ngjalli një debat që zgjati gjatë gati gjithë verës në Zvicër. Ishte një debat emocional – me shumë komente negative dhe me disa zëra që e mbrojtën gjestin me shqiponjë të futbollistëve shqiptarë.

Gjesti polarizoi shoqërinë zvicerane, nxiti ndjenja nacionaliste e refuzuese të shumë zviceranëve kundër të huajve, qofshin ata me apo pa shtetësi zvicerane.

Tani një juri nga Shkolla e Lartë e Zurihut për Shkenca Aplikative (ZWAH) ka vendosur që fjala “Shqiponjë” (Doppeladler) të zgjidhet si fjala e vitit në Zvicër.

“Në vitin 2018 shqiponja ka qenë e pranishme gjithandej dhe është shfaqur në përditshmërinë e Zvicrës; me debatet mbi të do të merremi edhe një kohë të gjatë”, thuhet në një njoftim të Shkollës së Lartë të Zurihut për Shkenca Aplikative, shkruan dialogplus.ch, transmeton Klan Kosova.

Etiketa: , , , ,