Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Shqiptarët e veriut, sërish të diskriminuar nga institucionet

Prizren Post | 11:04 - 12.01.2016

Mitrovicë – Përfaqësuesit e shqiptarëve të veriut kanë reaguar në lidhje me firmosjen e kontratave me institucionet e Kosovës nga ana e pjesëtarëve të strukturave paramilitare të të ashtuquajtur ‘Civilna Zastita’ që ka ndodhur dje në veri të Mitrovicës.


Sipas tyre, shqiptarët që jetojnë në veri të Kosovës, ndonëse përbëjnë më shumë se 30 për qind të popullatës në atë pjesë, janë të diskriminuar nga udhëheqësit e komunave veriore, sepse nuk kanë asnjë mundësi që të punësohen, jo vetëm në administratën komunale, por as nëpër spitale, ambulanca, arsim apo edhe qendra sociale.

Bashkim Cimili, asamblist i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës dhe njëherësh shef i grupit të PDK-së në atë pjesë, ka reaguar ashpër duke shprehur pakënaqësinë lidhur me nënshkrimin e kontratave të punës së 483 pjesëtareve të të ashtuquajturës ‘Civilna Zastita’.

Ai ka bërë të ditur për KosovaPress se në veri konkurset pothuajse të gjitha kriter bazik e kanë etninë, ndërsa etnitë tjera nuk kanë të drejtë fare të konkurrojnë.

“Shqiptarët e veriut injorohen prapë nga institucionet e Republikës së Kosovës. Ata nuk përfshihen në punësim në asnjërin nga institucionet, ku janë përfshirë pjesëtarët e një strukture paramilitare, siç po ndodhë sa herë. Pra shqiptarët në këtë pjesë të vendit nuk kanë pothuajse asnjë të drejtë, ndërsa kjo nuk mund të thuhet për serbët që jetojnë në pjesë tjera të Kosovës, të cilët nuk përballen me një diskriminim të tillë”, ka thënë Cimili.

Edhe disa nga qytetarët tjerë shqiptarë të asaj pjese kanë potencuar se ndjehen të diskriminuar.

“Përveç diskriminimeve të shumta, serbët nuk na lejojnë as të rindërtojmë shtëpitë tona, vetëm që të pamundësohet kthimi ynë në atë pjesë”, ka thënë për KosovaPress, Albert Gashi, banor në veri të Mitrovicës.

Sipas tij, institucionet qeveritare vazhdojnë të heshtin dhe të mos flasin për këto probleme, ndërsa gojën e kanë plotë sovranitet dhe shtrirje të vazhdueshme të shtetit të Kosovës në këtë pjesë.


Etiketa:
Arivisti Company