Shqiptarët në Bruksel: Dačiči është sikur Miloseviči


E hënë, 20 Janar 2014

Rreth 200 përfaqësues të komunitetit shqiptar në Bruksel protestuan të hënën përpara ndërtesës së Shërbimit të Jashtëm Evropian kundër anëtarësimit të Serbisë, përpara mbajtjes së konferencës ndërqeveritare të 21 janarit për nisjen e negociatave të Serbisë me BE-në.

Duke e konsideruar Serbinë përgjegjëse për luftërat në Ballkan, pjesëmarrësit u shprehën të zhgënjyer ndaj Bashkimit Evropian që nxiton të anëtarësojë Beogradin pa respektuar kushtin paraprak të njohjes së Kosovës dhe pa kërkuar as falje për gjenocidin e kryer gjatë viteve 1998-1999, kur ende nuk janë gjetur trupat e 1800 të zhdukurve.

I realizuar me lejen e policisë belge, manifestimi ndërthurej mes fjalimesh, himnit dhe këngëve patriotike. Përfaqësuesit e këtij komuniteti theksuan se shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Shqipërisë janë një komb dhe pro-evropian.

Përmes parullave në shqip e frëngjisht u kritikua qasja e BE-së, e cila ndryshe nga parimet mbi të cilat u themelua, mban pranë ekzekutuesit duke diskriminuar viktimat, pasi nuk lejon nisjen e procedurave për kandidaturën e Kosovës dhe pengon në Ballkan vetëm kosovarët që të lëvizin lirshëm në BE. /tch/

Etiketa: , , ,