Si e komenton Vetëvendosja raportin e DASH-it për demarkacionin?


E hënë, 21 Dhjetor 2015

Prishtinë – Për Lëvizjen Vetëvendosje deklarimet e Departamentit Amerikan të Shtetit se shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi është bërë pa gabime dhe se përputhet me kufirin e definuar në Kushtetutën e vitit 1974, nuk nënkupton se është vijë e saktë dhe nuk dëshmon që Kosovës nuk po i merret pjesë e territorit.

Sipas anëtarit të Kryesisë së këtij subjekti Zgjim Hyseni, vijë e ngushtë ashtu siç përkufizohet në raportin e prezantuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit është një përkufizim mjaftë domethënës.

Nëse kjo vijë e “ ngushtë” e thënë në këtë deklaratë nga larg shihet pak territor, për Kosovës sipas Hysenit do të thotë shumë.

“Vija e ngushtë, që përmendet në këtë deklaratë është mjaft signifikative. Vija e ngushtë nuk do të thotë vijë e saktë dhe vija e ngushtë për kaq pak territor sa ka Kosova do të thotë shumë, megjithëse nëse ajo shikohet nga larg-lart mund të duket pak”, tha Hyseni, transmeton KP.

Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk është kundër përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi por se kërkojnë që nga ky proces të mos humbas asnjëra palë .

Hyseni tha se çështja e demarkacionit nuk është çështje e deklaratave politike, por është në radhë të parë çështje e ekspertëve, ekspertë të cilët sipas tij tashmë kanë dëshmuar se kjo vijë kufitare cenon integritetin territorial të vendit.

“Profesionistët e kësaj fushe, përfshirë edhe ata që vijnë nga radhët e koalicionit, kanë ardhur në përfundim se përcaktimi i vijës kufitare e cenon integritetin territorial të vendit duke humbur mijëra hektarë tokë të Kosovës”, theksoi Hyseni.

E deputeti Shpejtim Bulliqi, që vjen nga radhët e LDK-së, e që ka kundërshtuar vazhdimisht mënyrën se si është bërë shënjimi i kësaj vije kufitare, tha për KosovaPress se ende nuk e ka parë deklaratën zyrtare për të parë se në cilat fakte është bazuar një deklaratë e tillë.

Sipas tij, në rast se kjo deklaratë është bazuar në punën e Komisionit Qeveritar për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, atëherë është e kuptueshme të ketë këso deklar atash.

Mirëpo, ai në cilësinë e një profesionisti të kësaj fushe, ka thënë se bashkë me të tjerë që kanë punuar për të zbardhur të dhëna dhe fakte lidhur me këtë proces i kanë ofruar ato për të dëshmuar se Kosova po dëmtohet në këtë proces.

“Nëse është mbështet në punën e komisionit dhe në versionin që ka dhënë Qeveria është përgjigje normale. Mirëpo, ne po presim një komision për t’ia ofruar të gjitha faktet që kemi e që janë të bazuara shkencore dhe profesionale të marra nga institucionet e ish- Jugosllavisë. Derisa të mos bindemi me fakte, ne këto do t’i marrim për bazë”, tha Bulliqi.

Sot gjatë ditës Departamenti i Shtetit Amerikan ka lëshuar një deklaratë ku përveç tjera ka thënë se vija e përcaktuar së voni përputhet ngushtë me kufirin e definuar në Kushtetutën e vitit 1974. “Kufijtë që ne i kemi përshkruar që nga viti 2008, përputhen detaj isht me kufirin e propozuar në vitin 2015”, thuhet në raportin e DASH.

Rikujtojmë se përfundimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi është njëri nga kushtet për liberalizimin e vizave dhe përbën një hap të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Etiketa: , , ,
Të fundit