Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Si po “luan” Serbia me varrezën e Rashkës?

Prizren Post | 10:27 - 21.12.2013

Serbia po tregohet joserioze në rastin e varrezës masive në Rudnicë të Rashkës. Autoritetet atje nuk po e lejojnë palën kosovare që të jetë pjesë e proceseve, madje u është përkujtuar se atje nuk kryen punë as EULEX-i, as UNMIK-u, e as Amerika, pasi që atje është Serbi.

Palës kosovare i është refuzuar edhe kërkesa që mbetjet mortore të sillen për ekspertiza në Kosovë, përkundër kërkesës që një gjë e tillë të bëhet në Prishtinë për shkak të afërsisë gjeografike.

Këto çështje u konfirmuan gjatë një takimi që përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur e zhvilluan me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të përfshirë në procesin e ndriçimit të fatit të personave të pagjetur.

Të pranishmit në konferencë diskutuan mbi rrjedhën e zhvillimeve në rastin e varrezës masive në fshatin Rudnicë të komunës së Rashkës.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj ka treguar se gërmimet në Rudnicë janë ndërprerë dhe pritet të vazhdojnë pas përfundimit të festave të fundvitit dhe fillimvitit të ardhshëm dhe varësisht edhe prej kushteve klimatike. Por, për prioritetet e mëtutjeshme do t’i vendosë pala e Beogradit.

Gjetaj ka shtuar se Serbia i ka mohuar palës kosovare kërkesën që mbetjet mortore të sillen për ekspertiza në Prishtinë.

“Siç jemi marrë vesh paraprakisht me Arsim Gërxhaliun, të bëjmë një kërkesë që mbetjet mortore të sjellën në Prishtinë, mirëpo pala e Beogradit nuk ka pranuar”, ka thënë Gjetaj.

Të njëjtën gjë e ka pohuar edhe eksperti i Mjekësisë Ligjore Arsim Gërxhaliu. Ai ka thënë se në rast se palës kosovare nuk i lejohet të jetë pjesë e të gjitha proceseve të punimeve, mbetjet mortore do t’i nënshtrohen edhe ekspertizave në Prishtinë.

“Një gjë e tillë nuk ka kaluar, dhe na është përkujtuar se aty është shteti i Serbisë, nuk ka këtu EULEX, nuk ka këtu UNMIK e nuk ka këtu as Amerikë. Këtu është Serbia dhe këtu do të zbatohen ligjet e Serbisë, sepse rasti veç ka kaluar tek gjykatësi për krime të luftës”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Ndërsa, drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it, Allan Robinson ka thënë se në të ardhmen do të merren hapa konkretë, por problem sipas tij, janë kushtet klimatike.

“Nga perspektiva jonë hapat e mëtejmë janë konkretë, ndërtesa që gjendet aty duhet të hiqet sepse vendi duhet të analizohet. Këtë ia kemi bërë të qartë edhe qeverisë së Serbisë. Por, jemi në stinën e dimrit dhe nuk është e volitshme që të punohet në një varrezë kaq të madhe masive”, ka deklaruar ai.

I zhgënjyer me tërë këtë proces është shprehur përfaqësuesi i familjarëve të personave të pagjetur, Bajram Qerkini. Ai ka bërë thirrje që kjo çështje të shtrohet në organizmat më të lartë ndërkombëtarë, përndryshe sipas tij, ky problem nuk do të zgjidhet.

“Ju kisha lutë, se ky problem i të pagjeturve në nivel të Kosovës, kur ka argumente që dihen, të kalojë në sektorin politik të Këshillit të Sigurimit, se ndryshe nuk ka për të shkuar përpara”, ka deklaruar Qerkini./Zeri/Prizren Post/


Etiketa:
Arivisti Company