Siguria e ushqimit në Kosovë në nivel të kënaqshëm


E hënë, 28 Prill 2014

Kështu thotë kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci, në një intervistë për Radio Kosovën. Sipas tij, inspektorët e AVUK-ut në vazhdimësi kontrollojnë dhe monitorojnë të gjitha produktet, qoftë ato që prodhohen në Kosovë apo ato që importohen, dhe nuk lejojnë konsumimin e atyre që konsiderohen të rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve.

Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë si autoritet kombëtar për kontrollin e sigurisë së ushqimit, angazhohet në vazhdimësi që të gjitha produktet ushqimore, qoftë ato që importohen apo ato që prodhohen brenda vendit të jenë të sigurta për konsumatorët. Kështu thotë kryeshefi i Agjencisë së ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci.

“Krahasuar me vitet më herët, siguria e ushqimit në nivel të përgjithshëm është në nivel të kënaqshëm, gjithherë duke u nisur nga parametrat, nga analizat që realizohen, por edhe nga aktivitetet ligjore që kryhen nga ana e stafit profesional dhe inspektorëve të agjencisë”, thotë Gjinovci.

Inspektorët e Agjencisë janë të pranishëm në të gjitha pikat inspektuese kufitare me vendet fqinje, me qëllim të kontrollit të produkteve që hyjnë tregun vendor. Në rastet kur hasin produkte të dyshimta, i bëjnë analizat përkatëse laboratorike, dhe në bazë të rezultateve, bëjnë edhe asgjësimin e tyre, thotë Gjinovci.

“Në total vetëm produkte ushqimore, përfshirë lëngjet e ndryshme, produktet me origjinë bimore e shtazore gjatë vitit 2013 kalon vlerën 1 milion e 100 mijë kilogramë produkte ushqimore të cilat janë asgjësuar falë punës së inspektorëve të agjencisë e cila është zhvilluar në terren”, thotë ai.

Ndërkohë mostrat e biskotave nga Serbia, të cilat u tërhoqën së fundmi nga tregu, zyrtarët e Agjencisë i kanë dërguar për analiza në Itali dhe në bazë të rezultateve do të marrin edhe vendimin përkatës, thekson Gjinovci. Sipas tij, siguria e ushqimit në Kosovë është në nivel të kënaqshëm, por ende duhet punë për t’u bërë që të arrihet niveli i vendeve të BE-së.

Ai sqaron se gjatë këtij viti pritet të fillojë edhe ndërtimi i fabrikës për asgjësimin e mbetjeve organike, proces që deri tani është bërë ne deponi mbeturinash.

“Projekti në masë totale monetare do të kushtojë 8 milionë euro, 6 milionë do të jenë nga Bashkimi Evropian, kurse 2 milionë euro do të jenë bashkëfinancim nga qeveria e vendit. Është një fabrikë e cila është me standarde dhe parametra evropiane”, sqaron Gjinovci.

Fabrika do të ndërtohet në parkun industrial të Drenasit, kurse ndërtimi i saj pritet të përfundojë brenda dy vjetësh. Fabrika do të plotësojë edhe standardet mjedisore nuk do të ketë ndikim negativ në zonën apo ambientin ku ndërtohet. /RTK/