Sivasspori fiton miqësoren ndaj Prishtinës


E shtunë, 6 Shtator 2014

Prishtinë – Prishtina e ka humbur miqësoren e parë ndërkombëtare kundër Sivassporit (0-2), të shtunën në kryeqytet, në ndeshjen e monitoruar nga UEFA dhe FIFA.

Përballja mes Prishtinës dhe klubit të madh turk, është zhvilluar në një atmosferë të bukur sportive të krijuar nga “Plisat”, edhe pse është pritur numër më i madh i shkuesve në këtë ndeshje.

Të përzgjedhurit e Roberto Carlosit ashtu siç pritje janë shfaqur ekip më i mirë, derisa tek skuadra e Bylbyl Sokoli mungonte përvoja ndërkombëtare.

Sfida mes këtyre dy ekipeve ka nisur me një dominim të lehtë të turqve, mirëpo gradualisht prishtinasit hoqën presionin që kishin duke i rehabilituar radhët e veta.

Megjithatë, një gabim fatal i portierit Kushtrim Mushica në minutën e 35-të, bëri që Hakan Arslan i Sivassporit të prek rrjetën e “bardhekaltërve”.

Ndërkohë, edhe në fraksionin e dytë, ishin miqtë nga Turqia që e kontrollonin mirë lojën në terren, derisa përpjekjet e Prishtinës nuk u treguan te efektshme që të paktën një hera ta dërgojnë topin në rrjetë.

20 minuta pa përfunduar ndeshja, përsëri një gabim fatal i Mushicës, figurës më të dobët të kësaj ndeshje, vjen edhe goli i dytë Sivassporit përmes Yakut.

Pavarësisht se Prishtina humbi ndeshjen, megjithatë, kjo skuadër tregojë një lojë të pëlqyeshme, por akoma mbetet të punohet në mënyrë që te kemi paraqitje më të mirë në sfidat ndërkombëtare.

Etiketa: , ,