Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Sivjet nis ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup

Prizren Post | 18:59 - 19.07.2013

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, konfirmoi dje se në vjeshtë do të fillojë ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Shkup. Ai pasi vizitoi punimet në Autostradën Vërmicë – Prishtinë – Merdar, tha se kjo autostradë do të përfundojë në fund të këtij viti, ndërsa në vjeshtë do të fillojë ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Shkup.

”Autostrada është projekt për Kosovën evropiane me të cilin do të krenohet çdo qytetar i Kosovës”, citon RTK të ketë deklaruar kryeministri Thaçi pas vizitës. Thaçi pas inspektimeve dhe njoftimit me ecuritë e punës theksoi se ky projekt i ka munguar Kosovës, por edhe rajonit. Këtë projekt kryeministri e quajti, si projekt i Kosovës së re, evropiane dhe moderne. “Ky është projekti i munguar për Kosovës dhe për rajonin.

Është ky projekt që ka fituar çmimet më të larta për infrastrukturë në rajon. Kjo na bënë të ndjehem tepër mirë dhe krenar. Ky është projekt i Kosovës së re, Kosovës evropiane, Kosovës moderne. Projekt historik për të ardhmen e Kosovës evropiane, moderne dhe zhvillimore të vendit tonë. Ky projekt po krijon edhe vende të reja të punës dhe po rrit mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Jemi në periudhën intensive të përmbylljes së këtij projekti, për t’i hapur mundësinë nga vjeshta e këtij viti projektit të ri që do të lidh Prishtinën me Shkupin”, theksoi Thaçi.


Etiketa:
Arivisti Company