Sot Kosova voton!


E diel, 11 Qershor 2017

Mbi 1 milion e 872 mijë 941 qytetarë me të drejtë vote do të kenë sot mundësinë që të votojnë për subjektin e tyre të preferuar dhe pesë kandidatët për deputetë në përbërjen e ardhshme të parlamentit të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 19 të mbrëmjes do të hapen 889 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 490 vendvotime.

KQZ ka certifikuar 26 subjekte politike për pjesëmarrje në këto zgjedhje: 5 Koalicione; 19 Parti Politike dhe 2 Nisma Qytetare.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse.

Por, prej tyre subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje mund të garojnë për vetëm 100 ulëse, pasi që 20 të tjera janë të garantuara për komunitet pakicë.

Sikurse edhe në proceset e kaluara zgjedhore, votimet do të vëzhgohen dhe monitorohen nga organizata vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe Bashkimin Evropian si dhe disa ambasada të vendeve të ndryshme në Kosovë.

Numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar sipas KQZ-së është 29 mijë e 264.

Në ndërkohë, për mbarëvajtjen e këtij procesi sa i përket aspektit të sigurisë është angazhuar Policia e Kosovës.

Kurse, për luftimin e parregullsive dhe manipulimeve, janë angazhuar edhe 100 prokurorë.

Dënimet për manipulim dhe ndërhyrje në proces, parashihen të jenë mjaft të ashpra.

Zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit vijnë pas rrëzimit të Qeverisë që pasoi mocionin e inicuar nga opozita më 10 maj.

Pas konstituimit të përbërjes së re të parlamentit, partia fituese, përkatësisht kandidati i saj për kryeministër do të mandatohet nga presidenti, për të formuar qeverinë e re të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, zgjidhet nga Kuvendi me mbi 61 vota të deputetëve. Në rast se partia fituese nuk arrin që të sigurojë mbështetjen e Kuvendit për formimin e qeverisë, më pas mundësinë për formimin e qeverisë do ta fitonte partia që do të dalë e dyta për kah rezultati në zgjedhje, njofton Klan Kosova.

Etiketa: , ,
Të fundit