Sot protestë mbarëpopullore në Prishtinë


E shtunë, 24 Janar 2015

Prishtinë – Ditën e sotme në kryeqytetin e Kosovës do mbahet një protestë gjithë popullore kundër deklaratave të ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç.

Protesta është organizuar nga shoqata “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova, por AAK, Vetëvendosja dhe disa organizata jo qeveritare kanë paralajmëruar pjesëmarrjen.

Sot do të protestohet gjithashtu edhe në përkrahje të gjigantit metalurgjik “Trepça”, për të cilën minatorët bënë grevë për 3 ditë.

Partitë që kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë në protestë janë Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, Bashkimi Demokratik, Lëvizja e Re Demokristiane, OJQ-të , organizatat e luftës së UÇK-së, Instituti Demokratik i Kosovës, Sindikata të punëtorëve, si dhe disa prej organizatave studentore.

Protesta të ngjashme janë mbajtur në Gjakovë, Gjilan, Deçan, Malishevë, Krushë e Madhe, etj.

Ministri për Kthim dhe Komunitete Aleksandër Jabllanoviç i ka quajtur egërsira nënat gjakovare, të cilat po protestonin kundër vizitës së disa pelegrinëve serbë në kishën e qytetit të Gjakovës.

Ndonëse Jabllanoviç ka kërkuar falje pas disa ditësh, protestuesit nuk e pranojnë faljen, por kërkojnë nga kryeministri Isa Mustafa që ta shkarkojë Jabllanoviçin nga pozita e ministrit. Nisja e protestuesve do të fillojë nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës.

Etiketa: ,