Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Statistikat e Tregtisë, rritet deficiti tregtar në muajin shkurt

Prizren Post | 08:05 - 23.03.2019

PRISHTINË – Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shkurt 2019.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 14.1% në muajin shkurt 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 208,6 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 182,8 milionë Eur në vitin 2018. Eksporti mbulon importin me 10.3%.

Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2019 kishte vlerën 24,0 milionë Euro, ndërsa importi 232,7 milionë Euro, ku është një rritje prej 7.4% për eksport dhe 13.4% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 30.7% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15.1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 14.6% e përbëjnë prodhimet minerale; 9.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.1% e përbëjnë prodhimet bimore; 4.5% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.5% e përbëjnë produktet minerale; 12.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11.8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.7% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 6.7% e përbëjnë prodhimet e industrisë kimike, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 8,4 milionë Euro, ose rreth 35.1% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 40.4%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (7.5%), Sllovenia (5.2), Holanda (5.1%), Britani e Madhe (3.0%).

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 115,8 milionë Euro, ose 49.8% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 26.4%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.9%), Italia (5.9%), Sllovenia (5.8%), Greqia (4.6%), Bullgaria (3.2%) etj.

Në muajin shkurt 2019, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 11,7 milionë Euro, ose 48.7% të eksporteve të përgjithshme me një rritje prej 20.0%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (19.8%), Maqedonia (13.8%), Serbia (7.2%), Mali i Zi (7.0%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shkurt 2018 arritën në 33,2 milionë Euro, ose 14.3% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-36.7%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia (6.8%), Shqipëria (6.4%) dhe Serbia (0.2%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 3,8 milionë Euro, ose 16.2%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (7.1%) dhe India (4.0%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 83,5 milionë Euro, ose 35.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (10.9%) dhe Kina (9.7%).


Etiketa:
Arivisti Company