Strategjia Kombëtare për Zhvillim, e realizueshme


E hënë, 29 Shkurt 2016

Banka Botërore i ka dhënë mbështetje aprovimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim për vitet 2016 – 2021, të lansuar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës.

E, ekspertët e ekonomisë, vlerësojnë se Strategjia Kombëtare për Zhvillim është përmbajtjesore dhe e realizueshme nëse ekziston gatishmëria e ekzekutivit.

Artan Loxha, ekspert për çështje të zhvillimit ekonomik, për Radion Evropa e Lirë, thotë se përgatitjet e Strategjive Kombëtare janë të zakonshme për të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Arsyeja pse kjo strategji është e rëndësishme, është sepse nuk paraqet një dokument të listave të tejzgjatura zhvillimore, por ajo është kurorëzuar me përpilimin e 34 masave konkrete të cilat kanë koston financiar. Kjo strategji tejkalon ciklin katër vjeçar të një mandati qeverisës, pra është një strategji afatmesme si dhe në përmbajtjen e saj i ka përfshira prioritetet kyçe të integrimit evropian”, thotë Loxha.

Ndryshe, pas dështimit të dy strategjive të përgatitura para një dekade, muajin e kaluar Kosova për herë të parë ka arritur të aprovojë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016 – 2021, e cila definon katër shtylla të zhvillimit afatgjatë dhe gjithëpërfshirës të Kosovës. /Telegrafi/

Etiketa: ,
Të fundit