Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Tahiri ngre padi për “pallatin e Bashës”

Prizren Post | 16:56 - 03.12.2013

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka paditur sot, në prokurorinë e Vlorës, “kompleksin Jon” të ndërtuar tek “Uji i Ftohtë” në Vlorë, kompleks ky në pronësi edhe të Xhafer Isufit, vjehrri i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

Kallëzimi penal ka të bëjë me shkeljet që janë konstatuar në mënyrën e përfitimit të pronës, zbatimit të lejes së ndërtimit dhe perspektivës së zhvillimit të pronës. Depozitimi i padisë është bërë nga Saimir Tahiri në cilësinë e kreut të Task Forcës.

Disa ditë më parë, gjykata Administrative e rrethit të Vlorës hoqi masën e sekuestros për “kompleksin Jon”, duke pranuar kërkesën e familjarëve, të cilët kishin ngritur padi ndaj Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, për bllokim të paligjshëm të objektit.

INUK e kishte bllokuar kompleksin Jon prej disa ditësh, me argumentin se po bëhen verifikime, nëse pallati është ndërtuar apo jo në kundërshtim me planin urbanistik.

Aktualisht lidhur me këtë ngjarje, asnjë person duke filluar nga pronarët e tokës, që është shtetasi Xhafer Isufi, por edhe nga pronarët e kompanisë që kanë marrë përsipër ndërtimin e objektit, nuk është hetuar për një masakër të tillë, të bërë në zonën e “Ujit të Ftohtë”.

pallati 1

Bllokimi i pallatit të Bashës

Më tre nëntor 2013 inspektorët e INUK-ut bllokuan kompleksin Jon, i cili rezulton të jetë në pronësi të Xhafer Isufit, vjehrrit të Lulzim Bashës. Qëllimi i bllokimit ishte verifikimi i dokumentacionit, por pronarët e kompleksit refuzuan dorëzimin e dokumenteve.

Një ditë më pas, më katër nëntor 2013, 11 persona banorë dhe pronarë të komplesit “Jon” iu drejtuan gjykatës Administrative Vlorë, ku kërkuan shfuqizimin e aktit administrativ të INUK-ut, akt i cili bllokonte hyrje-daljet e banorëve në pallat. Gjithashtu ata kërkuan edhe heqjen e shiritit rrethues në hyrje të kompleksit.

Më shtatë nëntor 2013, gjykata Administrative vendosi të pranojë kërkesë-padinë civile të 11 banorëve dhe pronarëve të pallatit, duke hequr kështu shiritin policor të vendosur nga INUK dhe nga Policia e Shtetit./shekulli/


Etiketa:

Bëni një koment