Taksa imponon fuqizimin e prodhimeve “Made in Kosova”


E premte, 23 Nëntor 2018

PRISHTINË – Pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përfaqësues të biznesit kërkojnë nga autoritetet e Kosovës që t’i subvencionojnë prodhuesit vendorë në mënyrë që këta të fundit ta rrisin prodhimin.

Që Kosova të arrijë të ketë një sektor më të qëndrueshëm dhe më të fuqizuar të prodhimit, ata kërkojnë politika fiskale më të favorshme për bizneset.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se përveç subvencioneve për sektorin e prodhimit, duhet edhe një strategji afatgjate që trajton politikat ekonomike – prodhuese.

“Kosovës i duhen politika që trajtojnë se çka mund të zëvendësohet nga importi dhe në anën tjetër, cilat produkte mund t’i zhvillojmë si produkte konkurruese në tregun tonë, por edhe në tregjet e tjera. Kjo ka munguar sepse nuk ka pasur një qasje konsistente në raport të përkrahjes së konkurrueshmërisë së prodhimeve vendore. Kemi pasur shumë herë masa ad- hoc që kanë pasur efekte pozitive, por edhe negative, por nuk ka pasur një politikë të harmonizuar”, thekson Rukiqi.

Etiketa: ,