Të gjitha marrëzitë e ish-Jugosllavisë në “Shkupin 2014”


E enjte, 18 Dhjetor 2014

gaze

Shkup – Të gjitha marrëzitë e vendeve të ish-Jugosllavisë janë derdhur në projektin “Shkupi 2014”, thotë gazetari kroat Boris Dezhuloviq.

Ai promovoi dje në Shkup librin e tij “Në kërkim pas të humburës”, në ambientet e Qendrës Informative të BE-së, ndërsa ishte i ftuar i Ambasadës së BE-së si anëtar i komisionit të jurisë për çmimin gazetaresk “Zhan Mone”.

Dezhuloviq, në fjalën e tij, u ndal për pak çaste edhe te projekti “Shkupi 2014”, duke thënë se përmendoret e shumta dhe objektet e ndërtuara janë fyese për qenien njerëzore.

“Është turp. Është fyese për nikoqirin. Të fyen jo vetëm si maqedonas, ose si një person nga Shkupi, por si qenie inteligjente njerëzore. Të fyen inteligjencën. Unë e përjetoj (këtë projekt) në mënyrën maqedonase. Më erdhi turp kur pashë ato pallate dhe skulptura. E kam parë në video gjithë këtë, por ta shohësh live qenka ende më e tmerrshme. Njeriu nuk mundka as të qeshë kur i sheh këto”, deklaroi Dezhuloviq.

Ai tha se nacionalizmi në Ballkan vazhdon të përbëjë rrezik për paqen e këtij rajoni.

Dezhuloviq njihet në Kroaci si kundërshtar i fortë i nacionalizmit, raporton Zhurnal.