Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Telekomi i Kosovës realizon lidhjen e dytë optike me Shqipërinë

Prizren Post | 12:25 - 25.11.2013

Prishtinë, 25 nëntor – Telekomi i Kosovës ka finalizuar me sukses projektin e lidhjes me kabllo optike të Kosovës me Shqipërinë, përgjatë rrugës së Kombit në vendkalimin kufitar, Vërmicë-Morinë. Kjo është dalja e dytë e bazuar në medium transmetues optik e Telekomit të Kosovës drejt Republikës së Shqipërisë, krahas asaj në vendkalimin kufitar Qafë Morinë (Gjakovë-Bajram Curr), e cila kishte përfunduar dy vite më parë.Realizimi i këtij projekti hap një urë të re komunikimi, digjitale, në mes të operatorëve telekomunikues andej dhe këndej kufirit, por edhe kompanive multi-mediale, në radhë të parë radio-televizioneve, transmeton telegrafi njoftimin.

Tashmë janë krijuar mundësitë që të ketë lidhje direkte të tipit Live-Studio (Studio e drejtpërdrejt), me kosto dhe kualitet të pakrahasueshëm në mes të studiove televizive, radio studiove, etj; shkëmbim të të dhënave, video incizimeve, incizimeve zanore, shkëmbimin e internetit, si dhe thirrje telefonike të kualitetit të lartë me kosto të favorshme për konsumatorët tanë në të dy anët e kufirit.

Kjo ndërlidhje do të mundësojë, përveç të tjerash, edhe shkëmbimin dhe ruajtjen e të dhënave në formën e Data Recovery Centers (qendra e ruajtjes dhe rikthimit të të dhënave) në të dyja vendet respektive, duke ngritur kështu standardin teknik në këtë fushë dhe gjithmonë në pajtim me kuadrin ligjor.

Telekomi aktualisht ka realizuar ndërlidhjen me operatorin Shqiptar ATU (Albanian Telecom Union), i cili është njëri ndër operatorët me rrjetin më të gjerë optik të shtrirë gjithandej Shqipërisë dhe do të vazhdojë të realizojë ndërlidhje me të gjithë operatorët në Shqipëri që janë prezent në njërën nga vendkalimet kufitare; Vërmicë apo në Qafë Morinë përfshirë operatorin e telefonisë fikse të Shqipërisë – Albtelekom, me të cilin që nga paslufta, Telekomi ka realizuar ndërlidhje përmes linçeve mikrovalore.


Arivisti Company