E diel, 25 Tetor 2015
Podgoricë – Gjatë protestave antiqevertare në Podgoricë, disa demonstrues kanë qëlluar disa herë me gurë ambasadën e Shqipërisë.
Qeveria e Malit të Zi përmes një postimi në “Twitter” bën me dije se grupi “Nikšićana” ka sulmuar selinë diplomatike shqiptare. “Dënojmë goditjen me gurë ndaj ambasadës së fqinjëve tanë miqësorë, Shqipërisë”, thuhet në reagimin e Podgoricës zyrtare.
Policia tha se ka vetëm dëme të vogla në fasadën e godinës. Gjatw orëve tw mbrëmjes policia shpërndau me gaz lotsjellës protestuesit para ambasadës shqiptare si edhe shumicën prej atyre që ndodheshin në sheshin para Parlamentit. Disa prej demonstruesve tentuan të hyjnë me dhunë në Parlament.
Protesta organizohet nga Partia Fronti Demokratik, që kërkon largimin e qeverisë aktuale dhe formimin e një qeverie teknike.
Ambasadori shqiptar: Na sulmuan me eksploziv
Ambasadori shqiptar në Malin e Zil, Ernal Filo, duke konfirmuar sulmin e dytë ndaj ambasadës u shpreh se ka pasur edhe sulm me bombë. Në një lidhje telefonike për “Reprot TV”, ai tha se demonstruesit kanë bërë gjeste ofenduese dhe kanë qëlluar me gurë fasadën e ambasadës. Filo sqaroi se nuk pati as dëmtime materiale e as për personelin. “Do të mundohemi ta evidentojmë me filmime dhe fotografi. Ka pasur dhe një shpërthim. Situata ka kaluar në dhunë. Zhurma ishte goxha e madhe, nuk mund ta përcaktoj se çfarë hodhën. Ka përforcime të madh të policisë, janë vendosur gardh para ambasadës. Situata është acaruar shumë”, u shpreh Filo.
Reagim i MPJ-së:
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon sulmin e sotëm ndaj Ambasadës së RSh-së në Podgoricë nga demonstrues huliganë. U bëjmë thirrje autoriteteve të Malit të Zi që të marrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e godinës së Ambasadës, për të siguruar aktivitetin e saj normal dhe integritetin e personelit, si dhe për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit e këtij sulmi. Ministria e Punëve të Jashtme dëshiron të nënvizojë se Shqipëria do të vijojë të mbështesë kursin euro-atlantik të rajonit. Përkushtimi ndaj vlerave euro-atlanike është i panegociueshëm dhe nuk do të frenohet nga grupe huliganësh, idetë e të cilëve kërcënojnë integrimin e mëtejshëm të rajonit tonë”./shekulli/
Etiketa: Ambasada Shqiptare, Mali i Zi