E diel, 24 Nëntor 2013
Prishtinë, 24 nëntor – Lufta, për dhjetëra mijëra shqiptarë në Serbi nuk ka përfunduar. Lufta për mbijetesë, për të jetuar në vendin ku janë lindur e rritur, për t’u shkolluar me apo pa libra në shqip, dhe mbi të gjitha lufta për të qenë shqiptar, shkruan “Zëri”.
Një vizitë në Luginën e Preshevës të rikujton hiç më pak se kohën e Sllobodan Millosheviqit, presionin që qenia shqiptare e kalon 24 orë në shtetin që udhëhiqet nga politikanë që dikur ishin bashkëpunëtorët më të afërt të “Kasapit të Ballkanit”.
Shtypja e shqiptarëve është identike me atë që e kanë kaluar edhe shqiptarët e Kosovës deri në vitin 1999, kohë kur edhe shkollimi me libra shqip konsiderohej krim.
Praktikat kanë mbetur të njëjta me kohën e regjimit të Millosheviqit, ish-shefit të kryeministrit aktual serb, Ivica Daçiqit. Përpos burgosjes së shqiptarëve të Luginës me akuzat për terrorizëm, të cilat pas disa vitesh vetë gjykatat serbe i shpallin akuza të pavërteta, çdo sulm që iu bëhet shqiptarëve të Luginës të rikujton kohën e regjimit të Millosheviqit.
Në dhjetor të vitit 2008 u arrestuan 11 shqiptarë, një pjesë e të cilëve ishin me akuzën për krime lufte, për t’u liruar pesë vjet më pas si tërësisht të pafajshëm.
Akuzat përfshinin vrasjen dhe masakrimin e së paku 47 civilëve, ndërsa ata akuzoheshin edhe për zhdukjen e mbi 30 të tjerëve.
Shqiptarët e “Grupit të Gjilanit” po punojnë me avokatët e tyre për të menduar hapat e mëtutjeshëm, kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë se shteti që udhëhiqet nga urrejtja ndaj çdo gjëje shqiptare, nuk e çan kokën pse i ka mbajtur 11 shqiptarë të pafajshëm në burg.
Etiketa: Serbi, Shqiptarët