Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Thaçi dhe Ashton bisedojnë për zgjedhjet e 3 nëntorit

Prizren Post | 08:05 - 28.09.2013

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në Nju Jork, ka takuar përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, baroneshën Catherine Ashton, me të cilën ka biseduar për zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi dhe për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Në njoftimin e lëshuar nga zyra për informim e Ashton, thuhet se në takim, baronesha ka vlerësuar progresin e arritur nga Kosova në rrugën evropiane.

Thaçi dhe Ashton gjithashtu kanë diskutuar lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e zhvilluar në Bruksel në mes të Prishtinës dhe Beogradit, me lehtësimin e BE-së.

Në veçanti njoftohet se ata u përqendruan në zgjedhjet komunale në Kosovë të cilat do të mbahen më 3 nëntor, derisa sipas njoftimit për media, Ashton ka përgëzuar përpjekjet e kryeministrit Thaçi për të siguruar zgjedhje të drejta dhe me pjesëmarrje të gjerë.


Etiketa:
Arivisti Company