Thaçi: Javët dhe muajt në vijim, vendimtarë për liberalizim të vizave


E premte, 20 Shtator 2013

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në takimin e Komitetit drejtues për liberalizimin e vizave. Ai edhe këtë herë ka thënë se Kosova është afër përfitimit të liberalizmit të vizave dhe ka bërë thirrje që secila ministri ta kryej punën e saj me përgjegjësi të plotë.

Në vazhdim fjala e plotë e kryeministrit Thaçi, në këtë takim:

“Më lejoni të filloj takimin duke ju falënderuar të gjithëve, për punën dhe përkushtimin tuaj në zbatimin e kritereve për liberalizimin e vizave. Jemi dëshmitar të një progresi të konsiderueshëm si në fushën e riatdhesimit, sigurisë së dokumenteve, menaxhimit të kufijve, luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit si dhe zbatimit të kritereve që ndërlidhen me të drejtat e komuniteteve.

Ky progres është arritur duke ju falënderuar përkushtimit tuaj, por edhe angazhimit të stafit pa të cilët ky progres nuk do të arrihej. Sidoqoftë, ky sukses nuk na lejon që të relaksohemi dhe të zbehim fokusin e zbatimit të mëtutjeshëm të kritereve të mbetura para nesh.

Ju tashmë jeni të familjarizuar me të gjitha këto kritere dhe i keni të qarta sfidat që na presin. Dua të shfrytëzoj rastin edhe sot kërkoj nga ju që të ngritni angazhimin tuaj edhe më tutje dhe të vendosni procesin e liberalizimit të vizave, në nivelin më të lartë të prioriteteve.

Të nderuar ministra, pres nga ju që këto prioritete te transmetohen tek secili zyrtar i digasterit që ju e mbuloni dhe të kërkoni zbatim të detajuar të kritereve dhe rekomandimeve, ta Komisionit Evropian.
Ju ftoj që ju personalisht të monitoroni zbatimin e kritereve dhe të kërkoni llogari nga stafi juaj në rastet kur nuk përmbushen kriteret me kohë dhe me kualitet të duhur.

Javët dhe muajt në vijim janë vendimtar për procesin e liberalizimit të vizave.

Shumicën e kritereve tashmë i kemi zbatuar, kështu që të mos lejojmë asnjë humbje kohe por të vazhdojmë edhe në pjesën tjetër të mbetur, që të mos vonohemi në këtë proces. Mos të lejojmë që për shkak të neglizhencës dhe mos angazhimit të vonohet lëvizja e lirë e shtetasve tanë pa viza në Bashkimin Evropian.

Ministria e Integrimit në bashkëpunim me ministrinë e Punëve të Brendshme janë duke e koordinuar këtë proces më të gjithë kapacitetet e tyre në dispozicion. Një përkushtim i njëjtë është dukë u ndërmarrë edhe nga ju të tjerët, kështu që e tëra që jam duke kërkuar nga ju, është që te mos zbehet përkushtimi, përkundrazi ta dinamizoni edhe më tutje.

Zbatimi i kritereve varet nga ne dhe nga askush tjetër. Pastaj vjen lehtësimi i zbatimit nga ekspertët e Bashkimit Evropian, të cilët jam më se i sigurt që do të ndahen të kënaqur me punën tonë. Kjo është nevojshme nëse të gjithë angazhohemi dhe marrim përgjegjësitë që na takojnë.

Krejt në fund përveç negocimit të MSA-së që është edhe prioritet për tërë Qeverinë e Kosovës, liberalizmi i vizave është prioritet i drejtpërdrejtë dhe i prekshëm për të gjithë ne, posaçërisht për qytetarët tanë.

Kjo e bënë këtë proces shumë të rëndësishëm, dhe kërkon angazhim edhe më të shtuar nga të gjithë ne. Ju faleminderit shumë!”, tha Thaçi.

Çitaku: Migrimi në Kosovë ka rënë dukshëm 

Si Koordinatore nacionale për liberalizim të vizave së bashku me Ministrin Rexhepi kemi kënaqësinë të vlerësojmë përkushtimin dhe angazhimin e të gjithë kolegëve nga institucionet e Republikës së Kosovës në zbatimin e kritereve të nevojshme, e këtu dua ti falënderohem edhe Kuvendit të Kosovës për aprovimin e pakos legjislative por edhe agjencive të pavarura të cilët pa u kursyer janë angazhuar në këtë proces dhe kanë arritur të bëjnë një punë të madhe”, tha Çitaku.

Ministrja posaçërisht iu falëndera menaxhementit të policisë të cilët kanë treguar një përkushtim serioz në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe luftimit të trafikimit dhe kontrabandimit me qenie njerëzore. 

Ministrja Çitaku informoi që rezultatet preliminare tregojnë që numri i migruesve ilegal nga Kosova ka rënë dukshëm dhe kjo është për tu përshëndetur, ky ndryshim pikë së pari është rezultat i vetëdijesimit të qytetarëve tanë që migrimi ilegal nuk është opsion, ata tashmë e kanë kuptuar që nuk ja vlen të rrezikohet jeta apo të shpenzohen mjetet financiare në një aventurë që në secilin rast përfundon me riatdhesimin e tyre në Kosovë. 

Po ashtu Ministrja Çitaku theksoi qe progres i konsideruar është evidentuar edhe tek drejtat e komuniteteve, liria e lëvizjes dhe drejtat elementare. Sidoqoftë ajo që duhet fokusuar në të ardhmen është integrimi I mëtutjeshëm dhe I qëndrueshëm I komunitetit Romë Ashkali dhe Egjiptian si dhe respektimi I drejtave të komunitetit LGBT. 

Ministrja Çitaku tha jemi në fazën përfundimtare, jemi në metrat e fundit dhe ajo qka ne duhet të bëjmë është t’i mobilizojmë të gjitha kapacitetet dhe t’ë arrijmë cakun me sukses. Javët dhe muajt në vijim me të vërtet janë përfundimtarë, jemi në pritje të misioneve vlerësues të cilat duhet të na gjejnë të përgaditur, stafi jonë duhet të jetë i përgaditur të përgjigjet në të gjitha pyetjet, të shpjegojnë zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve relevante, të prezantojnë të arriturat dhe planet që janë duke u ndërmarrë në praktikë.

Më pas u diskutuan kriteret relevante të ndara sipas blloqeve, u nxorrën konkluzione, monitorimi i të cilave do të ndodhe gjate javëve dhe muajve në vijim./Zëri/