Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Thaçi kërkon angazhim më të shtuar për mbrojtjen e viktimave

Prizren Post | 13:01 - 17.10.2016

Prishtinë – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën “Drejtësi dhe rimëkëmbje për viktimat”, të organizuar nga Prokuroria e Shteti kërkoi më shumë angazhim për mbrojtjen e viktimave të krimit.

Në kuadër të masave që janë ndërmarr për ndërtimin e një shteti të dinjitetshëm, presidenti Thaçi ka thënë se është edhe nxjerrja e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit dhe më pas edhe krijimi i mekanizmave përkatës që janë të nevojshëm për zbatimin e këtij ligji.

“Në rrjedhë të synimeve dhe obligimeve kushtetuese dhe ligjore, shfrytëzojë rastin që në këtë konferencë, ku po fillon shënimi i javës për të drejtat e viktimave, të ftojë të gjitha autoritetet kompetente, që karshi obligimeve kushtetuese dhe ligjore të sigurojnë që viktimat e krimit të trajtohen me profesionalizëm, duke respektuar të drejtën në siguri, dinjitet, jetën private e familjare të tyre dhe duke njohur ndikimin negativ të krimit në viktimat e krimit”, ka thënë presidenti Thaçi, transmeton Telegrafi.

Ai i ka ftuar të gjitha institucionet relevante që të bëjnë edhe më shumë për informimin e qytetarëve për të drejtën e tyre në kompensim.

“Ministria e Drejtësisë, institucionet shëndetësore dhe sociale, policia, prokuroria dhe gjykatat duhet të punojnë më shumë që këtë të drejtë ta njohin sa më shumë qytetarët dhe të bëjnë fushata vetëdijesimi dhe forma tjera të informimit publik, ku qytetarët do të kenë në dispozicion informatat e nevojshme lidhur me procedurat për realizimin e të drejtës për kompensim”, ka thënë ai.

Duke i kujtuar dhe mbrojtur, presidenti Thaçi ka thënë se ndihmojmë viktimat e krimit dhe si rrjedhojë duke krijuar dhe funksionalizuar të drejtën e kompensimit financiar të viktimave të veprave të dhunshme penale dhe të vartësve të tyre, do të ndihmojmë që Kosova të ndërtohet si shtet, ku dinjiteti i njeriut është vlerë e pacenueshme dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.


Arivisti Company