Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Thaçi në iftar me veteranët në Skenderaj

Prizren Post | 21:57 - 08.06.2017

Thaçi, vetëm dy ditë para zgjedhjeve ka zgjedhur të takojë në Skenderaj veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajmin për këtë e ka dhënë Faik Fazliu, me një selfie ku shihet bashkë me presidentin Thaçi.

“Me presidentin e Republikës së Kosovës në iftar me Veteranët e Luftës së UÇK-së të Skenderajt, falënderoj nga zemra degën e Skenderajt dhe kryetarin e OVL UÇK z. Hysni Ngucati për këtë organizim të mrekullueshëm”, ka shkruar Fazliu, pa dhënë më shumë detaje të kësaj darke.

Madje Thaçi ka marrë një dekoratë, për të cilën ka njoftuar në një tjetër njoftim përmes profilit të tij në Facebook, kryetari i OVL së UÇK-së, Hysni Gucati, pa treguar më shumë informata se për çfarë dekorate bëhet fjalë.

“Kisha nderin që së bashku me këshilltarin Faik Fazliu në emër të OVL së UÇK të ndajmë dekoratë për Presidentin Hashim Thaçi”.

Kujtojmë se gjatë ditës Kreu i shtetit, Hashim Thaçi, ka zgjedhur që të marrë pjesë në përurimin e një ndërtese shëndetësore. E ka dhënë lajmin përmes profilit të tij në Facebook.

“Bashkë me autoritetet komunale, me mjekë dhe qytetarë përuruam Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj. Edhe kjo qendër madhështon Skenderajn dhe është mesazhi i Kosovës së re, i Kosovës evropiane”, ka shkruar Thaçi. “Punëtorët e shëndetësisë nga sot do të kenë mundësi shumë më të mira për të ofruar shërbime më cilësore për qytetarët në Skenderaj”, ka shkruar më tej.

Thaçi ishte akuzuar për përfshirje në fushatë në cilësinë e presidentit edhe në zgjedhjet komunale në Drenas, kur kishte shtruar darkë për arsimtarët.


Etiketa:
Arivisti Company