E mërkurë, 22 Korrik 2015
Gjykata Speciale duhet të themelohet dhe deputetët nuk do të shkojnë në pushime pa përfunduar ky proces.
Kështu ka deklaruar kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi pas mbledhjes së sotme të Grupit Parlamentar të PDK-së. Mos votimi i Gjykatës Speciale, do të ishte në dëm të shtetit, ka deklaruar pas mbledhjes së Kryesisë edhe nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës në mbledhjen e sotme, diskutoi rreth themelimit të Gjykatës Speciale. Kreu i PDK-së ka thënë se Kosova sa më shpejtë do ta themelojë Specialen, dhe Kuvendi i Kosovës nuk do të shkojë në pushim pa e përfunduar këtë çështje.
“Diskutuam për domosdoshmërinë për themelimin e Gjykatës Speciale sa më shpejt që është e mundur dhe mendoj që Kuvendi i Kosovës nuk duhet të shkoj në pushim veror pa e përmbyllur këtë proces të rëndësishëm të marrë nga viti i kaluar po nga Kuvendi i Kosovës dhe i zotuar nga shumica e spektrit politik. Vendimet politike të PDK-së janë të çarta, gjë që kanë obligim të gjithë për t’i respektuar. Presim që do ta përmbyllim në të ardhmen e afërt këtë proces edhe si Qeveri edhe si Kuvend”, tha ai.
Për Specialen ka folur edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti. Pas mbledhjes së mbajtur të kryesisë së Kuvendit, ai tha se Kuvendi do duhej të mbante seancë të shpejtë dhe ta miratoj Specialen; në të kundërtën, nëse Kuvendi shkon në pushim pa e miratuar do të ishte papërgjegjësi dhe një dëm i pariparueshëm për Kosovën.
Ndërkohë bëhet e ditur se Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, në takimin e sotëm me Grupin Parlamentar të partisë së tij, ia ka arritur që t’i mbledhë nënshkrimet që dëshmojnë se ata do ta votojnë Specialen në Kuvend, e cila siç thuhet, pritet që javën e ardhshme do të shkojë për votim në Kuvendin e Kosovës.
Etiketa: Gjykata Speciale, Hashim Thaçi, Kosovë